Josip Kuzhe është trajneri i ri i kombëtares.
Zyrtarizimi është bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe kontrata e tij është 1-vjeçare me opsion zgjatje edhe për 1 vit e gjysmë tjetër.
Kuzhe pritet të fillojë brenda pak ditëve punën dhe do të qëndrojë në Tiranë gjatë të gjithë kohës. Josip Kuzhe është i treti kroat që do të drejtojë kuqezinjtë pas Ljubosha Broshiç në vitet ’40 dhe Oto Bariçit.
Debutimi i trajnerit të ri do të jetë më 6 Qershor në takimin kualifikues të Kupës së Botës 2010 ndaj Portugalisë në stadiumin “Qemal Stafa”.
Kroati 56-vjeçar ka drejtuar më parë Ruandën si përfaqësuese kombëtare dhe shumë skuadra të tjera ku më e rëndësishmja është Dinamoja e Zagrebit.
Në enciklopedinë online Wikipedia thuhet se Josip Kuzhe ka një dëshirë të pamatë për të fituar. Ai ka patur probleme dhe me kumarin e për me tepër me ruletën.
Kumari dhe pasioni i tij për fitoren e kanë futur më parë në telashe dhe borxhe, madje edhe në rrezik për jetën.
Kjo jetë thuhet ta këtë bërë Josip Kuzhen një njeri tejet të kujdesshëm, analitik, të etur për fitore dhe që nuk humb kurrë shpresën.
Tifozët, sidomos ata të Dinamos së Zagrebit e përshkruajnë si një lider dhe fitues. Mbi të gjitha, atje ku ka punuar ka fituar respekt./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe