Kyreparlamentarja Jozefina Topalli ka shfrytëzuar një vizitë në ekspozitën e krimeve të komunizmit në Shkodër, për të deklaruar se mazhoranca nuk do të tërhiqet nga përpjekja e saj, për t’i dhënë shoqërisë një ligj lustracioni që do ta shkëpusë atë nga e kaluara e errët.

Sipas saj, shumica do të respektojë Gjykatën Kushtetuese pavarësisht bindjes se anëtarët e saj kanë konflikt interesi me ligjin.

Jozefina Topalli: “Duke qenë besimtar të mëdhenj të shtetit ligjor të ecim përpara pa menduar kurrë se do të tërhiqemi nga mea culpa, nga bërja e transparencës dhe  nga kërkesa që në pozicionet kyçe të disa segmenteve të caktuara të shtetit të mos kemi njerëz në të kaluarën që kanë shkaktuar të tilla tmerre.”

Zonja Topalli bëri të ditur, se përveç detyrimit moral nga ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik, do të përfitojnë edhe kategoritë e të dënuarve që për arsye të ndryshme nuk disponojnë dokumentacionin e duhur.

Jozefina Topalli: “Brenda pak ditëve do të kalojmë një amendim të këtij ligji që do parashikojë shpërblimin edhe të atyre që s’kanë pasur dokumenta dhe në të njëjtën kohë të gjithë atyre që s’kanë pasur trashëgimtar sepse kanë hyrë në burgje të ri fare dhe kanë dalë 50,60,70 vjeç nga burgu, apo të priftërinjve , apo të klerikëve të feve të ndryshme.”

Ekspozita u organizua në ambientet e famullisë së Shën Shtjefnit në Shkodër, ku kryeparlamentarja dhe të pranishmit patën mundësi të shohin foto dhe imazhe nga kalvari i vuajtjeve në burgjet e diktaturës./tvklan.al

Gazetar: Simon Shkreli