Ish-kreu i Bashkisë Vorë në kërkim për 3 vepra penale
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, ka apeluar masën “arrest me burg” të dhënë ndaj tij. Kajmaku, përmes avokatit të tij mbrojtës, ka mohuar akuzat e Prokurorisë që e ka shpallur në kërkim për shpërdorim detyre, ushtrim i funksionit pas dhënies fund të detyrës dhe falsifikimi të formularëve.
Vendimi për arrestimin e Kajmakut është shpallur nga gjykata dhe ky urdhër ndalimi i është dorëzuar Policisë së Tiranës. Po kështu janë njoftuar të gjitha pikat e kalimit kufitar, portet dhe aeroporti për ndalimin e menjëhershëm të Agim Kajmakut nëse do të konstatohet në kufi.
Kajmaku akuzohet nga Prokuroria se ka shkarkuar dy nënkryetarët e Bashkisë, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, pasi KQZ i kishte hequr mandatin atij për shkak se kishte fshehur një hetim në Greqi për përdorim të parave false.
Në këtë detyre ai emëroi shefin e tij të kabinetit Gentian Picarin, por Prokuroria thotë se ashtu si në shkarkimin e dy nënkryetarëve, edhe në këtë vendim ai ka falsifikuar datën.
Tv Klan