Shqiptarët që do të shkojnë në Kosovë dhe ata që do hyjnë në Shqipëri do të kalojnë në pikën kufitare të Morinës pa kontrolle pasaportash dhe kartash identiteti përgjatë 9 muajve të vitit.
Ky rregull është i vlefshëm vetëm për shtetasit e dy vendeve dhe vjen si rezultat i një marrëveshje të firmosur mes ministrit të Brendshëm, Taulant Balla dhe homologut të tij Xhelal Sveçla. Balla e konsideroi marrëveshjen një kapitull të ri të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.
“Do të mundësojmë lehtësimin e procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Kukës për të gjithë periudhën 1 Maj – 30 Shtator dhe 1 Nëntor – 28 Shkurt, pra 9 muaj gjithsej në vit, në ndryshim nga protokolli në fuqi që parashikonte 4 muaj, konkretisht vetëm 1 Qershor deri në 30 Shtator”, tha Balla.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës tha se ata po punojnë me qasjen burokraci zero mes dy vendeve.
“Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror”, tha Sveçla.
Kjo marrëveshje i jep ndihmë edhe sezonit dimëror për të përfituar nga bukuritë natyrore të Kosovës. Në 2023 janë regjistruar në hyrje përmes kësaj pike kalimi 1,445,204 shtetas shqiptarë dhe 4,430,161 shtetas të huaj.
Tv Klan