Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë dhe kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Ai u konfirmua në detyrë nga KPK më 3 Gusht.
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurisë dhe Kofliktit të Interesit kishte relatuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se pasuria e Artur Malaj është deklaruar e saktë. Gjyqtari kishte dy troje të përfituar me ligjin 7501 në Llakatund të Vlorës, një apartament në kryeqytet, garazh dhe një automjet. Ndonëse konstatoi disa parregullsi në shuma të papërfillshme, KPK vlerësoi si të deklaruar saktë ndër vite dhe të justifikuara edhe tre llogari të bashkëshortes së tij, gati 200 mijë Euro në total, të pëfituara nga puna e saj si notere.
Gjithashtu, Komisioni rrëzoi raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për papërshtatshmëri të gjyqtarit, duke vlerësuar se raporti i përcjellë ishte i pasaktë dhe i pabazuar në prova. Pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, komisionerët publikë do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. /abcnews.al