Policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe arrestuar 12 anëtarë të tjerë të një grupi kriminal, të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike. Për 10 prej tyre është caktuar masa e sigurisë arrest në burg, ndërsa për dy të tjerë masë arrest në shtëpi. Faza e tretë e operacionit të koduar “Andromeda” e çon në 17 numrin e personave të zbuluar nga autoritetet.
Nga hetimet rezulton se 12 të ndaluarit në bashkëpunim me 5 të tjerët të arrestuar në datat 25 tetor dhe 13 nëntor të vitit të shkuar, kanë bashkëpunuar me qëllim shitjen e lëndëve narkotike në doza, kryesisht në Gjirokastër.
Pjesë e këtij grupi dyshohet se janë dhe dy punonjës policie në Pikën e Kalimit kufitar Kakavijë, të cilët janë pezulluar nga detyra. Autoritetet kanë dyshime se kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme vlerash monetare, lëndë narkotike kanabis dhe Kokainë, municion luftarak, celularë, automjete, dokumente të falsifikuara, mallra kontrabandë etj.
Gjatë dy fazave të tjera të këtij operacioni, përveç dozave të lëndëve narkotike, policia gjeti dhe armë gjahu dhe radio marrëse-dhënëse që shërbente për koordinimin e aktivitetit kriminal, automjete dhe telefona celularë.
Klan News