Robert F. Kennedy i riu, i zgjedhuri i Presidentit Donald Trump për të udhëhequr Departamentin amerikan të Shëndetësisë, u sulmua ashpër nga ligjvënësit mbi pikëpamjet e tij kundër vaksinave gjatë seancës dëgjimore në Senat.

Senatorët e akuzuan për përhapjen e teorive konspirative për të refuzuar përdorimin e ilaçeve që shpëtojnë jetë.

Kennedy u përpoq të mbronte qëndrimet e tij në Komitetin e Financave të Senatit, duke u premtuar ligjvënësve se nuk është kundër vaksinave ndërsa u zotua të trajtojë sëmundjet kronike dhe politikat e Trumpit për abortin.

“Unë besoj se vaksinat luajnë një rol jetik në kujdesin shëndetësor. Të gjithë fëmijët e mi janë të vaksinuar. Ne kemi nivelin më të lartë të sëmundjeve kronike më shumë se çdo vend në botë. Ky është një kërcënim ekzistencial”, tha Kennedy.

Kandidatura e tij shihet me skepticizëm nga të dy palët, kryesisht për përhapjen e dezinformatave rreth sigurisë së vaksinave në të kaluarën.

Gjatë marrjes në pyetje, senatorët demokratë sollën një varg deklaratash të bëra në të kaluarën nga Kennedy, duke përfshirë se asnjë vaksinë nuk ishte e sigurt dhe efikase.

Ata vunë në pikëpyetje deklaratat e tjera të Kenedit të bëra pa paraqitur prova, përfshirë atë se COVID-19 ishte një armë biologjike me qëllim për të shënjestruar të bardhët dhe personat me ngjyrë përveç hebrenjve.

Z. Kennedy ngatërroi vazhdimisht programet Medicare dhe Medicaid, programe që mbulojnë më shumë se 150 milionë amerikanë.

Senatori demokrat Michael Bennet e përshkroi Kenedin si një njeri që flet me bindje për gjysmë të vërteta dhe që përhap deklarata të rreme.

Klan News