Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, falënderoi për kontributin e dhënë katër lojtarët që kanë njoftuar tërheqjen nga Kombëtarja: Bekim Balajn, Ermir Lenjanin, Odise Roshin dhe Klaus Gjasulën.
Në fjalën e tij, Duka tha se me këta lojtarë në fushë, Shqipëria sot ndaj Çekisë, do e kishte më të lehtë fitoren.
“Nëse këta katër lojtarë do të ishin sot, do të ishim më të sigurt për fitore. Të gjithë kanë qenë shumë të mirë. Kontributi i tyre në Kombëtare është shumë i madh. I kemi pasur çuna shumë të mirë.
Kemi pasur gjithmonë çuna që e kanë respektuar flamurin kombëtar. Kombëtarja do të jetë gjithmonë në zemrat e tyre”, tha Duka.
Në krahun tjetër, edhe lojtarët u shfaqën të emocionuar për këtë moment, ndërsa thanë se ndihen krenarë për atë që kanë dhënë për kombin.
Ermir Lenjani: “10 vite emocion, sakrificë dhe historike me Europianin e Francës. Është diçka e madhe për mua dhe falënderime të gjithëve.”
Odise Roshi: “Është kënaqësi shumë e madhe. E kam nisur që te U-15. Është një emocion që nuk e përshkruan dot në Kombëtare. Jam krenar për kombin, por e mbyll me nder. I hapim rrugën të rinjve.”
Bekim Balaj: “Më shumë se 10 vite plotë emocione. Kombëtarja na ka dhënë shumë. Na ka burrëruar. I falënderoj të gjithë për këtë rrugëtim dhe në veçanti tifozët.”
Klaus Gjasula: “Krenari e madhe. Jam kënaqur shumë në vitet e fundit që kam qenë pjesë e Kombëtares. Faleminderit të gjithëve.”
/tvklan.al