“Furnizoni tregun evropian ose do të ndalohet eksporti i dozave”

Vonesat në furnizimin me vaksina si pasojë e reduktimit të prodhimit nga firmat farmaceutike në fabrikat evropiane ka vënë në lëvizje strukturat e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian pritet të pengojë eksportin e vaksinave që prodhohen në vendet evropiane përtej hapësirës së përbashkët të unionit. Në mediat e vendeve evropiane janë hedhur dyshime se Pfizer apo AstraZeneca, vaksinat që prodhojnë në fabrikat e filialeve të tyre në vendet e Bashkimit Evropian i dërgojnë në vende të tjera, duke lënë pa furnizuar tregun evropian.

Komisionerja Evropiane për Shëndetin, Stella Kyriakides paralajmëroi se firmat që aplikojnë për leje urgjente për përdorimin e vaksinave anti-COVID në vendet e Bashkimit Evropian do tu refuzohet leja nëse nuk paraqesin garanci se kanë prioritet furnizimin e shteteve të unionit me doza të mjaftueshme.

Nga ky rregull pritet të penalizohet firma britanike AstraZeneca, që pret marrjen e lejes urgjente brenda të Premtes. Ashtu si Pfizer, edhe kjo firmë ka deklaruar se do të reduktojë furnizimin e vendeve evropiane për shkak të vonesave në prodhim si pasojë e rendimentit të ulët të prodhimit të materialit gjenetik të viruseve nëpër laboratorë.

Analistët evropianë hedhin dyshime mbi këtë pretendim, pasi vonesa në furnizimin me doza të mjaftueshme ka vetëm për tregun evropian dhe jo për Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe apo vende si Izraeli, ndër të vetmit që ka përparuar brenda një muaji drejt fazës së vaksinimit të të rinjve, teksa në vende të tjera të Botës ende nuk kanë nisur injeksionet për stafin mjekësor si kategoria më e rrezikuar nga COVID-19.

Tv Klan