Këshilli i Evropës shpreh edhe një herë mbështetjen mbi negociatat për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, të bazuara në udhërrëfyesit që përmbajnë arritjet e objektivave të secilit vend. Këshilli bën thirrje që të gjitha vendet të vazhdojnë të fokusohen në implementimin e plotë të këtyre standardeve, objektivave. Lidhur me këtë, Komisioni mirëpret raportet e përditësuara mbi këtë proces.

Pas mbledhjes së ministrave të jashtëm të vendeve të bllokut, Ministri i Jashtëm çek Jan Kohut, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së tha se ministrat synojnë ti japin shtysë Komisionit Europian që deri në fund të këtij viti, të arrihet liberalizimi i vizave.  Po kështu, përpara mbylljes së këtij sezoni punimesh, në fund të Korrikut, Komisioni, do të bëjë publik propozimin ligjor për heqjen e vizave me vendet e Ballkanit perëndimor.

Në një deklaratë për media, komisioneri për zgjerim në BE, Olli Rehn, mirëpriti qëndrimin pozitiv të ministrave të BE-së lidhur me këtë çështje dhe theksoi se Komisioni ka qenë dhe është i përkushtuar për liberalizimin e vizave me Ballkanin perëndimor. I pyetur në lidhje me heqjen e vizave për Kosovën, komisioneri tha se blloku është i interesuar në europianizimin sa më të shpejtë të vendit. Sipas raportit të KE, vendet e Ballkanit perëndimor kanë bërë hapa përpara sa i takon përmbushjes së kushteve për heqjen e vizave.

Në raportin për Shqipërinë vlerësohet se vendi ka arritur të përmbushë një pjesë të madhe të kushteve të vendosura nga BE për heqjen e regjimit të vizave me vendet e bllokut 27 anëtarësh. Raporti vlerësonte së pari dokumentat e rinj të identifikimit, krijimin e regjistrit te ri elektronik civil, progresi ne kontrollin e kufijve, në luftën kundër emigracionit klandestin, krimit e korrupsionit, arritje këto të shoqëruara me hartimin e miratimin e ligjeve të standardeve europiane./tvklan.al