Komisioni Evropian publikoi raport-progresin për vendet e Ballkanit Perëndimor, për periudhën Tetor 2008-Shtator 2009.

Në pjesën për Shqipërinë, raporti vlerëson zgjedhjet e 28 Qershorit, reformat politike, ecurinë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe respektimin e kushteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Përsa i përket zgjedhjeve, ashtu si ne raportin e OSBE/ODIHR-it, vlerësohet se ato patën progres të dukshëm dhe përmbushën pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare.

Nënvizohet gjithashtu fakti se Shqipëria i ka potencialet për të përmbushur standardet më të larta dhe kërkohet të bëhen përmirësime në zgjedhjet e ardhshme, si për shembull në numërimin e fletëve të votimit.

Kodi i ri elektoral dhe përmirësimet në listën e zgjedhjeve u përmbushën në përputhje me prioritetet e partneritetit evropian. Gjithsesi, në raport thuhet se dialogu mes partive politike u përkeqësua pas këtyre zgjedhjeve, çka frenoi progresin e reforma kyçe.

Kushti i shpërndarjes së kartave të identitetit për t’u mundësuar qytetareve të votojnë u plotësua, thuhet më tej në raport dhe ditën e zgjedhjeve nuk pati debate në lidhje me këtë çështje siç ndodhi gjatë fushatës elektorale.

Për qeverinë e re, raporti thekson se në programin e saj i ka dhënë prioritet integrimit në BE, duke rritur standardet e jetesës përmes politikave sociale.

Po kështu, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reforma në sistemin gjyqësor vazhdojnë të jenë prioritet edhe në këtë qeveri. Megjithatë, kërkohet më tepër bashkëpunim institucional dhe pavarësi në gjyqësor.

Përsa i përket liberalizimit të vizave, raporti thekson së Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por kërkohet që të bëhet më tepër në shpërndarjen e pasaportave biometrike apo në kontrollin e kufijve.

Në fushën e reformave politike theksohet se është bërë progres dhe se menaxhimi i kapaciteteve të parlamentit është përmirësuar ndjeshëm, por raporti nënvizon gjithashtu se në sesionin e kaluar parlamenti nuk arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme për shkak të bojkotit të disa partive politike.

Vlerësohet gjithashtu përparimi në konsolidimin e të drejtave pronësore, ku theksohet se zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme ka vazhduar regjistrimin fillestar të pronës në pjesë të ndryshme të vendit.

E ndërsa theksohet progresi në këto fusha, kërkohet të bëhet më tepër në drejtësi, në reformimin e sistemit shëndetësor apo në respektimin e të drejtave të të dënuarve./tvklan.al