Kriza në Partinë Demokristiane është pasuar me një tjetër zhvillim kulminant. Këshilli Kombëtar i kësaj partie ka votuar në mënyrë të hapur përjashtimin nga partia dhe mos përfaqësimin më në qeveri të 2 zëvendës ministrave Anton Gurakuqi dhe Zef Bushati të cilët kërkuan largimin e Nard Ndokës nga drejtimi i PDK-së.

Kreu i demokristianve Ndoka në fjalën e tij drejtuar anëtarëve të këshillit akuzoi Gurakuqin dhe Bushatin për përdorim të logos së partisë për interesa klanore.

Nard Ndoka: “Ata harruan se Partia Demokristiane nuk është një han pa porta ku çdo parti, korrier partiak, apo tregtar postesh mund të hyjë të spekulojë, të fyejë dhe të hedhë baltë mbi vlerat dhe parimet në të cilat ne besojmë. Në Partinë Demokristiane nuk mund të ndodhin përçarje, mund të largohen individë është e drejta e tyre, unë ju uroj suksese në jetën e tyre private, se politike do ta kenë jashtë mase të vështirë.”

Por Ndoka ka theksuar se në krizën e fundit brenda PDK-së janë përfshirë edhe zyrtarë të aleatëve qeverisës.

Nard Ndoka: “Unë dua të informoj këshillin kombëtar, se kam çdo të dhënë të nevojshme për të faktuar presionin e hapur të bërë ndaj deputetëve dhe bashkëpunëtorëve të mijë nga zyrtarë të lartë fatkeqësisht të partisë tonë më të madhe aleate Partisë Demokratike.”

Përçarja në Partinë Demokristiane u bë e dukshme pas votimin në ndryshimet kushtetuese ku kryetari i grupit parlamentar Pashk Ujka votoi pro tyre. Pas kësaj një pjesë e kryesisë së PDK-së kanë kërkuar thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm të partisë më 10 maj për shkarkimin e Ndokës. Ndërkohë në mbledhjen e këshillit kombëtar u vendos që kongresi i jashtëzakonshëm të thirret 2 ditë më herët më 8 maj./tvklan.al