Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, pjesë e aleancës “Poli i lirisë”, ka çelur zyrtarisht në kryeqytet fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kreu i kësaj lëvizje, Dashamir Shehi theksoi, se zgjidhja e çështjes së pronës do të jetë prioritet për këtë grupim politik.

Dashmir Shehi: “Për t’i dhënë vendit mundësinë dhe shansin për të dalë nga ky bipolarizëm i keq, i vështirë dhe jo rezultativ për 18 vjet. Jemi këtu për të përcaktuar dhe për të zgjidhur në mënyrë definitive çështjen e pronës, jo se një pjesë e jona janë pronarë dhe do të gdhihen më të pasur, absolutisht nuk ka vlerë kjo punë, por sepse çështja e pronës është në thelb të shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë së tregut.”

Aleksandër Meksi drejtues i grupimit Poli i lirisë gjatë fjalës përshëndetëse tha se programi mbi të cilin bazohet oferta politike e këtij grupimi synon krijimin e shtetit të së drejtës.

Aleksandër Meksi: “Programi që ne kemi hartuar bashkërisht synon që tu ofrojë një transformim të të gjithë shtetit shqiptar dhe krijimin në radhë të parë të krijimit të një shteti të së drejtës, një shteti që funksionon për ju. Futja me ligj sipas përvojës perëndimore dhe investimit të hetimit sidomos të çështjeve penale me prokurorë dhe hetues privat. Veprim që do të rrisë së tepërmi përgjegjësinë e organit të akuzës dhe cilësinë e hetimit dhe gjykimit duke ulur dhe korrupsionin në sistemin e drejtësisë.”

Drejtuesi i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka u shpreh se aleanca e Polit të Lirisë do t’u japë mundësi shtresave të djathta që të jenë të përfaqësuara në parlament.

Nard Ndoka: “Ne jemi këtu për të thënë që ekzistojmë se jemi shumë, se do të jemi akoma më shumë  me 28 qershor. Ne dhe vetëm ne do ta përcaktojmë mazhorancën e ardhshme nesër në qeverisjen e vendit.”

Platforma e këtij grupimi, nën sloganin ndryshimi jemi ne, përfshin reforma në shumë fusha si ajo ekonomike, shëndetësore, si dhe një mbështetje më të madhe për fermerët./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro