Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Mevlut Çavusoglu në një deklaratë të posaçme u ka bërë thirrje partive politike shqiptare që të punojnë së bashku në parlament. Në këtë deklaratë zoti Çavusoglu, i cili kryesoi delegacionin që u përfaqësua në tryezën e bisedimeve me presidentin Topi, shprehet se e mirëpret kthimin e opozitës në Kuvend dhe e cilëson atë si një shenjë politike të rëndësishme .
Më tej ai vijon se mbetet me shpresë që ky hap pozitiv të mos jetë në nivelin e një hapi të vetëm, por të shënojë fillimin e një pjesëmarrje të vazhdueshme të të gjitha forcave politike në punimet e parlamentit.
Zoti Çavusoglu inkurajon liderët e dy partive kryesore në vend që të vazhdojnë përpjekjet për të nxitur dhe fuqizuar dialogun politik. Më tej ai thekson se dialogu parlamentar është i një rëndësie të veçantë për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për reformat që sipas tij duhet të vazhdojnë pa vonesë./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro