Kryediplomati shqiptar Igli Hasani është pritur në Kiev nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy Përmes një postimi në rrjetin social X, Ministri i jashtëm Hasani ka bërë të ditur se gjatë takimit shkëmbyen instrumentet e ratifikimit të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë.

Marrëveshja do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet dhe do të rinovohet automatikisht për periudha pesëvjeçare. Mes të dyja shteteve u nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi, të fokusuar në bashkëpunimin në integrimin evropian.

Për ministrin Hasani, këto hapa përfaqësojnë progres të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis vendeve dhe riafirmojnë angazhimin e Shqipërisë për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm.

Shqipëria është angazhuar për të ofruar trajnim për personelin ushtarak të Ukrainës. Gjatë samitit të Tiranës, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kërkoi ngritjen e një linje të përbashkët të prodhimit të armëve.

Takimet e kryediplomatit Hasani në kryeqytetin ukrainas vijnë në tre vjetorin e agresionit rus me palët që i kanë sytë nga Shtëpia e Bardhë, ku të hënën rikthehet Donald Trump. Ndihmësit e presidentit Trump kanë thënë se afati i ri kohor për përfundimin e luftës në Ukrainë është në fillim 100 ditë të administrimit të tij, që do të ishte në fund të Prillit.

Mbështetja më e fortë për ushtrinë ukrainase do të ishte ndarja e 250 miliardë Dollarëve nga asetet e ngrira ruse për të blerë armë.

Në 24 orët e fundit nga sulme ruse kundër Ukrainës u vranë 9 dhe plagosën 38 njerëz. Mes viktimave janë katër gra të moshave 61, 50, 43 dhe 22 vjeç, si dhe një burrë 20 vjeç.

Zelenskyy është përballur me hezitimin e disa aleatëve për t’i ofruar Kievit anëtarësim të shpejtë në NATO, por ai këmbëngul në garanci të forta sigurie nga SHBA-ja dhe partnerët e tjerë perëndimorë si elementi kryesor i çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Zelenskyy ka kërkuar dislokimin e trupave perëndimore në Ukrainë si paqeruajtës.

Klan News