Janë vënë gjobat e para ndaj operatorëve që nuk kanë zbatuar ligjin për piraterinë, i cili kërkon transmetimin e programeve të prodhuara nga vetë operatorët televiziv ose të blejë ato sipas një dokumentacioni të rregullt. Gjashtë ditë pas funksionimit të këtij ligji nga Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit janë ndëshkuar 4 televizione të cilët në këtë periudhë janë bërë shkelësit e ligjit duke transmetuar programe pirateske. Janë parë në disa ekrane filma të cilët nuk vërtetohen në dokumentacion që janë të blerë. Në këtë rast përsëritje deri në 5 herë Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit duhet të heqë licencën e operatorit. Drejtuesi Çela dhe grupi monitorues ka marrë këto masa.
Sefedin Çela: KKRT vendosi të gjobisë Shijak Televizion me 200 mijë lekë për transmetimin e filmave të miratuar nga data 16 deri në 18, 19 Tetor 2003, sepse ky operator televiziv, aspak në përputhje me ligjin nuk ka depozituar në KKRT dokumentacionin me të cilin të vërtetojë se i ka blerë filmat artistik të transmetuar në data e mësipërme. KKRT vendosi të gjobisë me 200 mijë lekë Kukës Televizion pasi në datën 18.10.2003 ka transmetuar programe me logon e televizionit italian Rete 4. KKRT vendosi të gjobisë Telenorba shqiptare me 200 mijë lekë pasi ka transmetuar filmim “Wag the dog” për të cilin i është kërkuar kontratë, i është kthyer përgjigje por gjoba mbetet në fuqi deri në sqarimin e çështjes. KKRT vendosi të gjobisë TV Koha me 200 mijë lekë pasi ka transmetuar filmin artistik “Pretty Woman”.
Me gjithë falënderimin e Këshillit Kombëtar të Radio dhe Televizionit për pjesën e operatorëve që e kanë zbatuar ligjin këta të fundit përveçse e përshëndesin ligjin ndjejnë pakënaqësi dhe humbje nga pabarazia.
Dtitan Hoxha: Më vjen keq për televizionet që nuk e kanë zbatuar ligjin. Sepse ligji është i detyrueshëm për të gjithë dhe duhet ta kishin zbatuar, por është edhe një vjedhje direkte e televizioneve të cilat e ideuan dhe po e zbatojnë ligjin me përpikmëri. Konkretisht duhet të themi dhe emrat. Është Shijak TV që përveç protestave që ne kemi bërë në KKRT përditë dhe bisedave personale me drejtuesit e Shijak TV-së vazhdojnë të piratojnë duke na bërë ne një humbje audience me programe të miratuara, por problemin më të madh të sotëm unë e shikoj me KKRT-në që merr një vendim absurd, kur e dimë që ka kaq ditë që ka filluar ligji dhe ne si Top Channel kemi të dokumentuara shkelje të Shijak TV-së mbi 10 herë, ndërkohë që ligji thotë se me 5 herë shkelje hiqet licenca.
Monitorues përveç të punësuarve në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit janë bërë edhe operatorët që zbatojnë ligjin.
Aleksandër Frangaj: Është shqetësuese dhe duhet ndalur në shkeljet që i kanë bërë dhe po i bën aktualisht televizioni Shijak këtij ligji. Është i vetmi televizon që vazhdon të piratojë çdo natë filmat e Hollivudit, filmat më të fundit të krijuar. Kjo ka një rrezik dhe një problem shumë të madh që nuk ka të bëjë vetëm me Shijakun dhe KKRT-në, por ka të bëjë me Shijakun dhe të gjithë televizionet e tjera, sepse nuk ka se si 80%-90% e ekraneve të respektojnë dhe nuk ka se si 1 apo 2 të lejohen të piratojnë. O do ta respektojnë të gjithë siç e parashikon edhe ligji dhe logjika, o do të vjedhim të gjithë. Në kushtet kur mazhoranca dhe pjesa më e madhe po e respekton dhe Televizioni Shijak, të cilit unë i bëj thirrje publikisht, duhet urgjentisht të ndalë transmetimet pirate. Sepse transmetimi i këtyre programeve të palicensuara shkakton jo vetëm gjobitjen e tij, siç ka ndodhur sot, por dhe heqjen e licencës. Pasi përsëritja deri në 5 herë, gjë e cila ka ndodhur sepse ka më shumë se 5 ditë që ai transmeton gjithë ditën programe të vjedhura, pra në qoftë se ai vazhdon do i hiqet licenca dhe tashmë nuk kemi të bëjmë, ose nuk kemi të bëjmë me dhunë të fjalës së lirë, nuk kemi të bëjmë me censurë të shtetit ndaj një televizioni opozitar, apo një televizioni kritikues, por sanksioni i heqjes së licencës vjen si pasojë e vjedhjes së programeve që ai po bën dhe në këtë rast nuk do të mund ta mbrojë kurrkush, as opozita, as qeveria dhe as këshilli kombëtar, sepse edhe nëse nuk do KKRT-ja të marrë sanksione, Shijaku monitorohet nga të gjithë ne që po paguajmë para për blerjen e programeve. Shijaku duhet ti përgjigjet thirrjes sonë ndal piraterisë televizive siç janë ndalur të gjithë kolegët. Nëse do të vazhdosh me kokëfortësi, veten paç më qaf, televizioni do të mbyllet./tvklan.al