Një ngjarje tronditëse është ajo që ka ndodhur këtë të martë në fshatin Grecalli të Fierit.

Mateo Vllasiu vetëm 8 vjeç u rrëmbye rreth orës 9 të mëngjesit për t’u gjetur më pas i groposur, në shtëpinë e fqinjit të tij. Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është Klodian Çalamani dhe mësohet se jetonte i vetëm. Ai u arrestua nga policia.

Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë mësohet se vite më parë ka terrorizuar një vajzë adoleshente 16- vjeçare për ta vrarë, por ajo i kishte shpëtuar nga duart. Edhe në këtë rast ngjarja ndodhi në fshatin Grecalli ndërsa ata u dënuan me 4 vjet burg.

Por mësohet se nga ky dënim, Çalamani ka vuajtur vetëm 3 vjet. Me vendim të Gjykatës së Fierit, 38-vjeçari është dënuar më 6 Dhjetor të 2006 për veprën penale “Heqje e paligjshme e lirisë”. Çalamani ka vuajtur dënimin në burgun e Rrogozhinës dhe është liruar më 6 Gusht 2009.

Klodian Çalamani

Bashkë me një tjetër person, ai e mori peng të renë dhe e dhunoi për rreth 20 minuta.

Sa i përket krimit të ndodhur këtë të martë, burime bëjnë të ditur Klodian Çalamani dyshohet se e ka vrarë dhe më pas e ka mbuluar me baltë në një cep të oborrit të tij 8-vjeçarin. Policia thotë se po punon për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Autori dyshohet se është me probleme të shëndetit mendor.

Njoftimi i policisë

Sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.

Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit Klodian Çalamani, 38 vjeç, në fshatin Mujalli, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.

Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.

Korrespondentja e Klan News në Fier, Anila Sefa, thotë se fëmija ishte zhdukur që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm. Autori Klodian Çalamani mësohet se jetonte i vetëm.