Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Koalicioni Aleanca për Shtetin, në prag të shpërbërjes përfundimtare. Sot në zyrat e selisë rozë ka mbërritur përgjigjja negative e aleatëve Gjinushi, Imami, Melo ndaj ofertës së Nanos. Gjinushi ka refuzuar dy zonat e lira dhe pesë emrat në listën e socialistëve për proporcionalin. Ceka ka refuzuar dy zona të lira dhe dy emra në proporcional, ndërsa Melo është ndjerë i braktisur plotësisht.
Vasil Melo, Kryetar i PBDNJ:- “Të gjitha partitë tona mbeten në vend, ose bëjnë nga një hap mbrapa, ndërsa vetëm PS rritet, jo ndoshta si deputet, por si përqindje, sepse ajo kërkon të ketë 73 deputetë, pra të ketë mazhorancën në parlament, kurse ne nuk dimë se sa përqind jemi, nuk dimë se çfarë vendi zëmë në spektrin elektoral, por vetëm dimë që kemi tre deputetë dhe asgjë më shumë. Kjo do të thotë që partia jonë të mos ketë më asnjë vlerë qoftë në parlament, qoftë në qeverisjen e ardhshme”.
Oferta e re e socialistëve parashikon që partitë aleate, të mos paraqesin kandidaturat e tyre në të gjitha zonat elektorale, duke mos përfituar në këtë mënyrë nga përqindjet e proporcionalit. Edhe aleancistët nuk e pranojnë këtë ofertë. Sekretari për marrëdhëniet publike në PAD, Gjergj Zefi shprehet.
Gjergj Zefi:- “Ne jemi të vendosur të mos pranojmë asnjë ofertë, e cila dëmton identitetin e PAD dhe jemi të vendosur të pranojmë çdo ofertë që i hap rrugë bashkëpunimit të koalicionit. Deri në këto momente në marrëdhënie me PS nuk ka asnjë gjë të re”.
Nga ana tjetër socialistët janë euforik në pretendimin për të fituar edhe të vetëm mbi 75 deputet në parlamentin e ardhshëm./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame