Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pandeli Majko:- “Unë nuk mund të shkojë në aktivitete, për t’u ulur në të njëjtën tryezë me ministrin e mbrojtjes së një vendi, i cili shumë shpejt presupozohet të ketë një Kushtetutë, që mund të orientojë një varg problematikash të sigurisë në rajon”.
Kjo deklaratë e Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko, krijoi një pështjellim diplomatik. Ministria e Punëve të Jashtme kundërshtoi në emër të qeverisë shqiptare qëndrimin e Majkos. Në njoftimin për shtyp ajo shprehet, për marrëdhënie miqësore me fqinjët dhe jo konflikte.
Diplomacia shqiptare larg deklaratës patriotike të ish-kryeministrit Majko shprehet, se vlerëson zhvillimet demokratike në Kosovë, në përputhje me rezolutën 12/44. Po kështu shprehet dhe një nga ekspertët e politikave rajonale Koço Danaj:
Koço Danaj:- “Një qeveri, siç është qeveria e Shqipërisë në rastin konkret, ka një politikë të përcaktuar rajonale, ka një politikë rajonale, që është e detyrueshme për t’u zbatuar nga gjithë pjesëtarët e kësaj qeverie, por është një politikë rajonale që është përballë së cilës bëhet oponencë, apo dhe opozitë, nga parti të ndryshme politike, apo dhe nga mendime të ndryshme brenda vetë shoqërisë, por jo brenda kabinetit qeveritar, për më tepër që sot Kosova dhe Serbia përgatiten për dialogun midis tyre nën monitorimin e Bashkësisë Ndërkombëtare. Shpresojmë që kjo deklaratë e papritur dhe befasuese, që realisht është një incident diplomatik, të kalojë pa pasoja në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bashkësisë Serbi-Mal i Zi”./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj