Kolegji i Europës i themeluar që në vitin 1949 nga baballarët e Bashkimit Europian, duke përfshirë Winston Churchill, Paul-Henri Spaak dhe Alcide De Gasperi tashmë është realitet në Tiranë me degën për studime pasuniversitare. Një kërkesë e kryeministrit Rama e plotësuar në sajë të financimit nga BE dhe infrastrukturës së ofruar nga qeveria, si dhe Bashkia e Tiranës, e cila ofroi bursa për tre studentë shqiptarë.

Pjesë të Kolegjit të Europës në Tiranë janë 31 studentë nga 22 kombësi të ndryshme. Ata vlerësojnë mikpritjen e shqiptarëve.

Adam Kelly, student nga Irlanda

“Shqipëria më pëlqen shumë, jetoj dhe studio këtu prej 2 muajsh. Njerëzit janë të mrekullueshëm. Ndryshe nga vendi im, Irlanda, këtu klima është më e ngrohtë. E zgjodha Shqipërinë sepse jam marrë me Ballkanin Perëndimor në kohën që kam punuar me stafin e Miroslav Lajçak. Anëtarësimi i Irlandës në BE e ka ndryshuar atë ndaj shpresoj se ky ndryshim pozitiv do të vijë edhe për vendin tuaj. Do të jemi këtu në Kolegjin e Tiranës për një vit dhe diploma jonë është e njohur nga autoritetet franceze e holandeze. Nga ushqimet më pëlqen byreku. Kemi qenë në Durrës e në Vlorë, ku bregdeti është shumë i bukur. Kushtet e strehimit janë të mira, sepse kemi dhoma individuale. Besoj se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë më tepër mundësi që të anëtarësohen me shpejt në BE”, thotë Adam Kelly, student nga Irlanda.

Shqipëria mendoj se mund të jetë një nga shtetet më të bukura në botë, Kolegji i Europës këtu në Tiranë është zgjedhja e duhur. Unë vij nga Bosnje Hercegovina dhe këtu kam gjetur njerëz shumë të mirë. Mendoni që po takoni liderët e ardhshëm të rajonit dhe të Europës. Shqiptarët janë të mrekullueshëm dhe shquhen për bujarinë e tyre”, shprehet Timur Viliç, student nga Bosnje Hercegovina.

Timur Viliç, student nga Bosnje Hercegovina
Timur Viliç, student nga Bosnje Hercegovina

Studentët e huaj zhvillojnë leksionet në të njëjtat salla të godinës Liria, ku studiojnë edhe studentët shqiptarë të degëve të ndryshme. Ata kanë mësuar edhe disa fjalë shqip.

Hapja e këtij Kolegji këtë muaj, sipas Kryeministrit Edi Rama, vjen në një moment tepër të rëndësishëm për Shqipërinë që lidhet me rrugëtimin në Bashkimin Europian. Presidentja e KE-se, Ursula von der Leyen u shpreh se të rinjtë e këtij Kolegji do të jenë udhëheqësit e ardhshëm të Bashkimit Europian.

Ky është një tjetër projekt i rëndësishëm në rrugëtimin e përafrimit të universiteteve shqiptare me ato europiane. Kolegji i Europës me qendër në Bruzh dhe me degë në Poloni e Shqipëri, është një nga institucionet më të vjetra dhe më të respektuara në Europë, i krijuar me qëllimin për të promovuar bashkëpunimin dhe integrimin europian. Ky Kolegj ka luajtur rol kyç në ndërtimin e Bashkimit Europian.

Hapja e kampusit të parë në Tiranë jo vetëm që shënon një partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe institucioneve europiane, por gjithashtu ka hapur mundësi të reja te mëdha për studentët dhe akademikët nga Ballkani Perëndimor, Bashkimi Europian dhe më gjerë. Programet e studimit që ofron Kolegji i Europës këtu në Tiranë janë me të njëjtat standarde si ato në Kolegjin e Bruzh, duke siguruar një cilësi të lartë të mësimit dhe një mjedis të pasur multikulturor dhe ndërkombëtar për studentët.

Paralelisht, po punohet për projektin e ri të ri të Kolegjit të Europës në Shqipëri, i cili pritet që të nisë zbatimin brenda vitit 2024 për të garantuar më shumë kapacitete didaktike, ambiente moderne dhe hapësira multifunksionale për studentët dhe profesionistët e rinj.

Klan News