Në një mesazh drejtuar tifozëve të Maveriks pas kalimit te La Lakers, Luka Donçiç deklaroi se do të donte që ta kalonte të gjithë karrierën e tij në NBA në ekipin nga Dallasi.
Transferimi i bujshëm i yllit slloven të basketbollit, në një marrëveshje ku u përfshi edhe Anthony Davis, tronditi botën e NBA-së, pasi për të gjtihë ishte i papritur dhe i paparashikuar. Donçiç u dedikoi tifozëve të tij një mesazh në mediat sociale, 24 orë pas kalimit në ekipin nga Los Anxhelos.
“Shtatë vjet më parë, erdha këtu si adoleshent për të ndjekur ëndrrën time për të luajtur basketboll në nivelin më të lartë. Mendova se do ta kaloja të gjithë karrierën time këtu dhe doja shumë t’ju sillja një kampionat. Dashuria dhe mbështetja që të gjithë më keni dhënë është më shumë sesa mund ta ëndërroja ndonjëherë! Në kohë të mira dhe të këqija, nga dëmtimet te finalet e NBA, mbështetja juaj nuk ka ndryshuar kurrë! Faleminderit se jo vetëm ndatë gëzimin tim në momentet tona më të mira, por edhe që më ngritët kur kisha më shumë nevojë.”, tha Luka Donçiç.
Ai gjithashtu reagoi edhe për postimin e Lakers, duke e cilësuar kalimin si një mundësi të jashtëzakonshme dhe se do të luajë me të njëjtin gëzim, pasion dhe synim, që të fitojë kampionate. Në bazë të akordit, ekipi nga Los Anxhelosi pranoi që të dërgonte Davis dhe Maks Kristi në skuadrën nga Dallas, në këmbim të yllit slloven, Maxi Kleber dhe Merkif Morris.
Në këtë akord është përfshirë edhe skuadra e Utah Xhez, që siguron shërbimet Xhekin Hud-Skifino nga Lakers, si edhe 2 basketbollistë të tjerë. Sipas mediave amerikane, ishte klubi nga Los Anxheles që kontaktoi Maveriks, ku i ofroi pesë herë të përzgjedhurit në ekipin më të mirë të NBA.
Ky propozim u prit mjaft mirë te drejtuesit e Lejkërs, që e shikojnë Donçiç si imazhin kryesor të ekipit për vitet në vazhidm. Slloveni 25-vjeçar konsiderohet si një nga talentet më të mëdha të NBA dhe doli i treti në renditjen e përgjithshme të Basketbollistit më të mirë vitin e shkuar.
Donçiç nuk ka dalë në parket që nga Krishtlindjet, për shkak të një dëmtim në pulpë.
Klan News