Kombëtarja shqiptare do të grumbullohet të hënën në “Shtëpinë e futbollit” për tu përgatitur për sfidat e muajit tetor ndaj Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë. 24 futbollistë do të jenë të gatshëm për trajnerin Sylvinho, që për këto sfida nuk do të ketë në dispozicion, Rey Manaj dhe Armando Brojën.
Në dyshim për ndeshjet e tetorit është edhe Berat Gjimshiti për të cilin duhet të pritet rishikimi i gjendjes fizike. Për herë të parë në kombëtaren kuqezi do të jetë Adrion Pajaziti.
“Jam shumë i lumtur me të gjithë. E rëndësishme të kuptohet se kemi në monitorim 40 – 50 lojtarë. Nuk jemi Kombëtare që nëse nuk luan me klubin, nuk përzgjidhesh. Të mos jesh pjesë e listës, nuk do të thotë që nuk stërvitesh. Nuk varet nga sa minuta luan. Gjithmonë lojtarët kanë qenë të gatshëm për të dhënë gjithçka. Ne duhet të bëjmë një listë të ekulibruar dhe të mirë. Unë jam shumë i kënaqur me lojtarët, pasi pavarësisht minutave kanë dhënë gjithçka me fanellën e Kombëtares. Sa i përket Pajazitit, është një lojtar që unë e njoh. Ka ndryshuar skuadër dhe po luan shumë mirë. Më pëlqen si luan, është rritur shumë si lojtar. Është një mesfushor që mund të luajë në shumë role. Sa i përket Abrashi, ai mund të japë ende shumë për Kombëtaren.”
Trajneri i kombëtares Sylvinho i konsideron të vështira këto dy transferta.
“Kemi dy ndeshje të vështira në transfertë. Çekia është një ekip i fortë, fiton centimetra. Luan teknikisht dhe ka 4-5 lojtarë me të cilët mund të luajë në ajër. Ka një tranzicion të shpejtë dhe ka lojtarë fizikë. Do jenë dy ndeshje të vështira dhe është një grup i vështirë”.
Të dy përballjet, më 11 Tetor në Pragë dhe ajo e 14 Tetorit në Tbilisi do vijnë ekskluzivisht dhe falas në ekranin e TV Klan.
Klan News