Arbër Hoxha e Rey Manaj në fokusin e Sylvinho para kampionatit europian
Kombëtarja shqiptare do të nis këtë të hënë grumbullimin dhe përgatitjet për miqësoret ndaj Kilit dhe Suedisë. Pas impenjimeve të fundit me skuadrat respektive, futbollistët kuqezi do të bashkohen në fushën stërvitore të “Shtëpisë së Futbollit” për të qënë në dispozicion të Sylvinhos për takimet që do luhen më 22 mars në stadiumin e Parmës në Itali dhe më 25 mars në Stokholm të Suedisë.
Për tre ditë më radhë, deri të mërkurën, kuqezinjtë do të kryejnë në Tiranë seancat stërvitore për të udhëtuar më pas drejt Italisë dhe zhvilluar seancën e fundit stërvitore para duelit me amerikano-jugorët. Pritet që Sylvinho të provojë disa futbollistë në këto dy sfida, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të parë edhe element të tjerë cilësor në prag të grumbullimit për kampionatin Europian të këtij viti.
Për herë të parë në urdhërat e teknikut Sylvinho do të vendosen futbollistë si Arbër Hoxha dhe Rey Manaj, me sulmuesin lushnjar që është një njohje e vjetër e brazilianit, që prej kohës tek skuadra e Interit. Pikërisht te Manaj pritet që Sylvinho të ketë edhe fokusin, pasi është edhe sulmuesi më në formë i kuqezinjve.
Kombëtarja shqiptare do luaj miqësore ndaj Kilit më 22 mars në stadiumin “Enjo Tardini” të Italisë, duke nisur nga ora 20:45 dhe Suedisë, takim që do të zhvillohet në stadiumin “Friends Arena” në Stokholm më 25 mars, në ora 19:00. Të dy sfidat do të transmetohen ekskluzivisht dhe falas në TV kombëtar KLAN.
Klan News