Barra e sigurimeve shoqërore për punëdhënësin prej 1 maji të këtij viti do të ulet me 5 pikë përqindje, nga 29.5 që është aktualisht në 24.5. Projektligji për ndryshimin e nivelit të këtij kontributi është miratuar në mbledhjen e fundit  të komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

Florian Mima: “Vjen në vazhdën e një premtimi për uljen e barrës kontributeve, ku kryesisht në kahun e punëdhënësit, por edhe për vetë punësuarit. Respektivisht normat kontributive ulen me 5 dhe 3.2 pikë përqindje më saktë, duke bërë që rreth 50 milion dollar në vit, pra 4 miliard lekë të ikin nga arkat e shtetit dhe të mbeten në duart e punëdhënësve dhe investitorëve shqiptarë.”

Qëllimi i reduktimit të normës së kontributit është ulja e evazionit në këtë sektor dhe rritja e të ardhurave. Ekspertët e ministrisë së Financave argumentojnë se në këtë formë do të mund të rritet numri i kontribuuesve në sektorin privat. Por opozita ishte skeptike në lidhje me efektet që pritet të japë ky projektligj.

Arben Malaj: “Nëse nivelet e taksave deklarohen të ulura, veprimet që kryen administrata në raport me biznesin vijnë e bëhen gjithnjë e më tepër abuzive. Pra ishte qeveria juaj që uli taksat, pastaj arriti të miratonte strukturën organike të një ndërmarrje private. Tjetra pagat e referencës, çmimet e referencës, elementë të tjerë janë bërë abuziv dhe korruptim.”

Me votat e opozitës komisioni i Ekonomisë kaloi dhe projektligjin për fiksimin e akcizës së karburantit në nivelin 37 lekë/litër./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro