Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
10 ditë para konferencës së Brukselit nga të gjitha vendet e rajonit, vetëm kuvendi i shqipërisë nuk ka paraqitur asnjë projekt konkret në kuadër të paktit të stabilitetit. Në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar për paktin, kryetari Nano e ka konsideruar këtë fakt të papëlqyeshëm për të zgjedhurit nga populli si deputet.
Në këtë situatë Nano krahas projektrezolutës të hartuar në mbështetjen të projekteve që do të paraqiten në Bruksel, propozoi që brenda muajit Prill, komisionet parlamentare të sjellin në komisionin e paktit projektet e tyre konkrete. Projektrezoluta do të miratohet javën e ardhshme, ku në parlament kryeministri Meta të paraqesë dosjen përfundimtare të projekteve shqiptare për paktin e stabilitetit.
Ndërkohë ish-kryeministri Majko tërhoqi vëmendjen që të mos hartohet një rezolut për rezolutë, sepse sipas tij pakti i stabilitetit nuk është problem i një qeverie, por i disa qeverive që do të ndjekin këtë proces disa vjeçar.
Kryetari i komisionit parlamentar të paktit të stabilitetit Fatos Nano ka shpjeguar më pas përpjestimet e zhdrejta të fondeve që do të jepen në fazën e parë të projekteve të paktit të stabilitetit. Në shumën e përgjithshme prej 1.5 miliardë eurosh vetëm 100 milion euro janë për forcimin e demokracisë, vetëm 77 milion euro për çështjet e sigurisë, ndërsa pjesa më e madhe prej 1.3 miliard eurosh do të jepen për rindërtimin ekonomik të rajonit. Zëri, Malaj, Dade, Jupe e Hazizi theksuan se shqiptarët s’duhet të presin mbrekullira nga Brukseli, pasi procesi I paktit do të jetë i gjatë./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame