Emrat do të votohen të dielën nga anëtarësia e PD
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka publikuar emrat e të cilët do të jenë pjesë e primareve të 30 Janarit, nga të cilët do të dalin kandidatët e zgjedhjeve të pjesshme të 6 Marsit në 6 bashki të vendit.
Anëtarët e PD do të votojnë nesër me votim të fshehtë se cili prej tyre do të kandidojë në emër të Komisionit të Rithemelimit në zgjedhjet e 6 Marsit në bashkitë Shkodër, Durrës, Lushnje, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.
Shkodra e cila njihet si nje bastion i demokratëve ka numrin më të lartë të kandidatëve për primaret.
Në votim këtë të dielë do të jenë plotë 6 emra dhe konkretisht Alfred Koçobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Bardh Spahia, Irena Shestani Shala dhe Irma Kopliku Alushi. Bie në sy mungesa në këtë listë e kryetares aktuale të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademia e cila ka zgjedhur vetë të mos jetë pjesë e këtij procesi.
Në Durrës gara do të zhvillohet mes Ardian Mukës dhe Silvja Gjepalit. Katër emra janë zgjedhur për të garuar për Bashkinë e Lushnjës; Arben Zaimi, Elton Bano, Eurion Iljazi dhe Indrit Qerimi.
Për Bashkinë e Dibrësi janë përzgjedhur tre emra; Behar Dema, Dafina Muda, dhe Premtim Kryemadhi.
Ndërkohë në Vorë anëtarët e PD do të zgjedhin mes emrave të Luan Beta dhe Lulzim Vrana.
Në Rrogozhinë garojnë 5 kandidatë; Eqerem Deliu, Hajrulla Tafa, Hekuran Xhani, Sokol Gosa dhe Vladimir Manushi.
Ky është procesi i dytë i votimeve që organizohet nga Komisioni i Rithemelimit në bazën demokrate, pas referendumit të 18 Dhjetorit, ku u votua për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Tv Klan