Prokuroria e Përgjithshme thotë se nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë e grupit të punës së Komisonit të Posaçëm Antikorrupsion që drejtohet nga Fatmir Xhafaj.
Megjithatë, shton se kanë njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës.
Këta të fundit do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij.
“Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtesisë.
Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sjellim në vëmendje se më herët, SPAK dhe Gjykata Kushtetuese kanë refuzuar që të jenë pjesë e Komisionit Antikorrupsion./tvklan.al