Shteti shqiptar nuk do të mund të arkëtojë vlerën e garancisë se dy kontratave me vlerë 30 milionë euro që kompania “DH Albania” fitoi përmes falsifikimit të dokumentave dhe mashtrimit.

Kompanitë e sigurimit të kontratave të lotit të parë të Unazës së Madhe dhe realizimin e punimeve për linjën 220 kilovolt Burrel-Peshkopi, refuzojnë që të derdhin pagesën për llogari të “DH Albania”.

Konfisikimi i garancive u njoftua në një konferencë për shtyp nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Menjëherë Autoriteti Rrugor dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit dërguan shkresat për konfiskimin e garancisë pranë dy kompanive “Sigal” dhe “Sigma”. Por televizioni Klan ka mësuar të dyja kompanitë kanë refuzuar pagesën, duke i dërguar edhe një shkresë zyrtare të dyja institucioneve publike.

Televizioni Klan bisedoi me drejtues të kompanive, të cilët sqaruan se garancia që kompanitë e sigurimit kanë bërë për “DH Albania” lidhet me realizimin e kontratës dhe jo me prishjen e njëanshme të saj nga autoritetet kontraktore në kushtet e mashtrimit. Drejtori i kompanisë “Sigma”, Klajdi Citozi tha se edhe vetë kompanitë e sigurimit janë të mashtruara, çka bën që vetë kontrata të ketë rënë. Firma e tij, tha ai,  ka marrë përsipër të garantojë realizimin e punimeve dhe jo vërtetësinë e informacionit.

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar pranon se garancia është refuzuar të paguhet, ndërsa ka dërguar një tjetër kërkesë për vjeljen e saj pranë dy shoqërive të sigurimit. Nëse sërish do të ketë refuzim, këtë çështje do ta zgjidhë gjykata, tha drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro, në një bisedë telefonike.

Qeveria kërkon që të vjelë nga dy kompanitë e sigurimit shumën prej 4.1 milion dollarësh, si garanci e lënë për realizimin e kontratës nga “DH Albania”, e cila rezulton të ketë mashtruar edhe shoqëritë e sigurimit.

Televizioni Klan kontaktoi edhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, i cili sqaroi se nuk ka bazë ligjore që të veprojë në situata të tilla, e se çështja e me të gjitha gjasat do të përfundojnë në gjykatë.

Tv Klan