Konferenca e ambasadorëve shqiptarë të akredituar në botë ka zhvendosur punimet e saj në Shkodër.
Takimi i radhës u fokusua në nxitjen e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe përfaqësive tona diplomatike.
Zv/Ministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi, ka theksuar se binjakëzimi i bashkive dhe komunave është një proces shumë i rëndësishëm për integrimin e vendit dhe përmirësimin e imazhit të tij.
Anton Gurakuqi: “Mendoj se sot pikërisht është momenti kur ne kemi shumë për t’i treguar jo vetëm ambasadorëve, por nëpërmjet jush të gjithë botës përparimet e mëdha që janë bërë në Shkodër. Binjakëzimi është një proces aktiv, i cili mbështetet jo vetëm në vullnetin e të zgjedhurve, pra ajo që duhet të kuptojmë ne është se vullneti i të zgjedhurve është shumë e rëndësishme, por dinamizmi i banorëve të qytetit është shumë i rëndësishëm dhe pikërisht këtu duhet mbështetur dhe politika e binjakëzimit.”
Të pranishmit e tjerë që morën fjalën në konferencë e vunë theksin në përshpejtimin e reformës së decentralizimit, konsolidimin e qeverisjes vendore, si dhe zgjerimin e autonomisë fiskale.
Agjenda pesë ditore e konferencës së ambasadorëve do të mbyllet më 31 Tetor në Tiranë, ku dhe do të përcaktohen prioritetet për veprimtarinë e mëtejshme të trupit tonë diplomatik./tvklan.al