Krerët aktualë të Shtetit Shqiptar u kanë dhënë sot garancinë njerëzve të NATO-s se shqiptarët synojnë Europën e Madhe dhe jo Shqipërinë e Madhe. Në fillim Kryeparlamentari Gjinushi e më pas Kryeministri Majko dhe Ministri i Jashtëm Milo, kanë hedhur poshtë idenë e liderit të opozitës Berisha, i cili sipas tyre ka kërkuar krijimin e federatës së shqiptarëve në Ballkan.
Në seminarin “Sigurimi i Paqes në Europën Juglindore” diskutantët e huaj dhe ata vendas u shprehen për praninë afatgjatë të trupave të NATO-s në Shqipëri dhe në rajonin e Evropës Juglindore. Por Ministri i Jashtëm Milo theksoi se integrimi rajonal i këtyre vendeve në strukturat Euroatlantike është zgjidhja më e mirë se kërkesat individuale e tyre për anëtarësim.
Në fjalën e tij Kryeministri Majko u shpreh se ndonjë deklaratë e individëve politike nuk përcakton të ardhmen dhe vendimmarrjen e qeverisë aktuale. Ai ka vënë theksin në stabilitetin dhe në integrimin e Shqipërisë në B.E. dhe në NATO. Në këtë seminar është planifikuar të referojnë figura të njohura të jetën politike kosovare si Kryeministri Thaçi, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, madje dhe oficerë të Kosovës./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame