Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka mjaft mundësi të pashfrytëzuara zhvillimi. I këtij mendimi është Kryeministri Berisha, i cili ka garantuar investitorët e fushës se qeveria do të vijojë të mbështesë tregun e sigurimeve, duke krijuar hapësira të reja në ekonominë shqiptare për zbatimin e kontratave e sigurimit.
Sali Berisha: “ Unë dua t’ju siguroj se qeveria do të vazhdojë të mbështesë tregun e sigurimeve. Ne po përmirësojmë legjislacionin. Ne po hapim hapësira të reja, jemi gjithnjë e më shumë për sigurimin e jetës në disa sektorë ku risku është i lartë si sektori i ndërtimit, transporti, minierat. Ne po punojmë për gjetur stimuj fiskalë për ata, të cilët sigurojnë jetën apo për pensionin e tyre. Fondi privat i pensioneve, në të ardhmen e afërme, do të jetë një nga aktivitetet më të rëndësishme të kompanive në tregun e sigurimeve.”
Deklaratat e kreut të ekzekutivit u bënë gjatë Konferencës Rajonale të Uniqa Group Austria e mbajtur në Tiranë.
Kryeministri vuri ne dukje ritmin e lartë të rritjes që po njeh tregu i sigurimeve në Shqipëri pavarësisht krizës botërore.
Sali Berisha: “Rritja e aktivitetit e këtij tregu është një nga treguesit më sinjifikativ në tregun e përgjithshëm. Ne kemi qenë të lumtur ta konstatojmë këtë, këtë vit, viti më i vështirë për ekonomitë më të mëdha në Evropë dhe në botë. Tregu i sigurimeve u rrit me 26 % dhe unë mendoj se kjo është rritja më e madhe, por që gjithsesi është ende larg nivelit të Bashkimit Evropian. Por dinamika e rritjes është vërtet premtuese.”
Në konferencën rajonale të Uniqa Group, pjesë e së cilës është edhe kompania shqiptare e sigurimeve SIGAL, merrnin pjesë përfaqësues kompanish nga 24 vende evropiane.
Grupi i sipërmarrësve pati mundësi të njihet nga afër me hapësirat për investim në sektorë të ndryshëm që ofron Shqipëria falë një turi disa ditor të zhvilluar në jug te vendit./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro