Tranzicioni shqiptar dhe qasja e tij krahasuar me atë spanjoll ishin në qendër të një konference të organizuar nga ambasada spanjolle dhe Instituti i dialogut e Komunikimit.

Dy tranzicione të ndryshëm, kushtëzuar nga forma e diktaturave, vendndodhja përkatëse dhe historia.

Në panelin e të ftuarve të drejtuar nga ambasadori i mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio, referoi mbi veçantitë e tranzicionit të shkurtër spanjoll ish deputetja e parlamentit spanjoll nga 1979 deri në vitin 2000, Anna Balletbo. 

Anna Balletbo: “Askush nuk e la pushtetin me vullnet të lirë. Në Spanjë bëmë një tranzicion teknik. Spanja e viteve 80 nuk ngjan me Shqipërinë e sotme, që ende po jeton tranzicionin e saj drejt integrimit në demokracitë evropiane. Ka një distance te ndryshme historike dhe gjeografike. Spanja është në kufi me Francën, ndërsa Shqipëria me Serbinë. Tek ne ishin të rinjtë e fundit të Frankizmit, që kuptuan se sistemi diktatorial nuk kish të ardhme dhe i bënë ata ndryshimet politike, duke pranuar monarkinë si sistem politik dhe deleguar pushtetin mbretit Huan Karlos, në emër të unitetit. Gjatë kohës se Frankos ishin të shumtë të ndërgjegjësuarit që punonin në fshehtësi ndaj ishte e qartë se të gjithë donin demokraci, njohje të territoreve administrative, përgjegjshmëri politike, decentralizim ekonomik.”

Pirro Misha: “ Shqipërisë së viteve ’90 fillimi viteve’90 ishte jo vetëm vendi më i prapambetur në Evropë dhe një vend mungonte klasa e mesme e konsoliduar qytetare, mungonin institucione të pavarura nga shteti të cilat do të mund të siguronin atë nivel të nevojshëm të stabilitetit kulturor të një kalimi deri diku të butë nga një sistem politik tek tjetri. Mungonte po ashtu në përgjegjësi një elitë e aftë në largpamësi për të drejtuar një vend kaq të varfër e të prapambetur në rrugën e vështirë të modernizimit drejt një demokracie liberale.”

Të ftuar në këtë konferencë ishin Joakin Arriola, profesor i Universitetit të rajonit Bask, deputete te parlamentit shqiptar dhe përfaqësues të shoqërisë civile./tvklan.al