Honeymoons: Çel Tirana film Festival
Me sharmin e një festivali filmi të njohur tashmë në qarqet kinematografike botërore, edicioni i 7-të i Tirana Film Festival u çel me premierën e filmit Honeymoons, të regjisorit të njohur serb Goran Paskaliviç, që në këtë natë mori në dorëzim nga Ambasadori i Spanjës në Tiranë, çmimin “Golden Spike”, të fituar në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Valladolid.
Honeymoons apo muaji i mjaltit një film i ndërtuar mes Shqipërisë dhe Serbisë së sotme, rrëfen fatet e dy çifteve të rinj, të cilët largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim. I njëjti fat i dhimbshëm i ndjek të dy çiftet, atë shqiptar dhe atë serb, të cilët arrestohen në kufij për hir të një incidenti të ndodhur në Kosovë, gjë që i pengon përkohësisht të përmbushin ëndrrën e tyre.
Goran Paskaljeviç: “Jam i impresionuar nga dekori këtu, atmosfera, salla e mbushur plotë. Shpresoj ta pëlqejnë dhe këtu filmin si shumëkush në botë që e ka parë. Është një film vërtetë i suksesshëm, e këtë e them pa modesti, nuk është vetëm i imi, është filmi ynë. Unë mendoj se suksesi filmit qëndron te emocionet e forta që ai shkakton dhe jo vetëm se është një Co produksion serbo-shqiptar, por janë emocionet që vijnë nga Lindja, ato qe e bëjnë vërtetë të ndjerë dhe të suksesshme këtë histori. Disa gazetarë në Venecia më pyetën nëse ishte një film politik, apo një histori dashurie, por unë u thash se është një histori dashurie e angazhuar, sepse fatkeqësisht politika shënjon jetët tona, veçanërisht në Ballkan. Megjithatë unë nuk bëra një film mbi politikën, por mbi jetën njerëzore”.
Një kast i mrekullueshëm aktorësh shqiptar dhe serb, ndër të cilët Bujar Lako, Yllka Mujo e Çun Lajçi, apo të rinjtë Mirela Naskaj, Helena Tërkulia, Nebojsa Milanoviç, e Jozef Shiroka përcollën këtë histori ballkanase.
Jozef Shiroka: “Kjo ishte eksperienca e parë e jemja e vërtetë në kinema, sepse unë sa kam mbaruar shkollën dmth edhe nuk kam pasur eksperienca dhe për, kam pas, kam pas të bëj më një regjisor që është një ndër regjisorët më të mirë të Ballkanit edhe të Europës edhe për rrjedhojë edhe unë sigurisht kam pas një shije tepër tepër të mirë edhe një eksperiencë shumë të bukur”.
Nebojsa Milanoviç: “Ky është filmi i tretë me Goran Paskaljeviç. U njohëm 10 vjet më parë, kur unë isha ende student për dramë në Akademinë e Beogradit dhe Goran më ftoi të luaja në një film të tij, që aso here fitoi çmime në festivalin e Venecias. Filmi Muajt e Mjaltit e pashë premiere në Venecia, Selanik dy ditë më parë në Beograd dhe tashmë sapo përfundoi premiera edhe në Tiranë. Është një audiencë e ndryshme, por emocionet që po ndjej këtu, janë të njëjta si gjithkund, që nënkupton se është një film i mirë”.
Muaj Mjalti bashkëpunimi i parë filmik shqiptaro-serb i realizuar nga Scandal Producion dhe Nova, vjen fill pas premierave botërore ne festivalin e Venecias dhe festivalin e filmit në Toronto./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani