Silvana Seitaj, nga Fieri, i është drejtuar emisionit “Stop” për të denoncuar drejtoreshën e DAR Fier, që sipas saj, e ka ulur në detyrë pas 3 vjetësh në drejtimin e shkollës “Feride Begaj”në Gorishov.

Pas disa situatave konfliktuale mes të dyjave, në periudhën Tetor-Nëntor 2018, më 10 Janar 2019, erdhi ulja e pozicionit, duke i hequr vulën dhe duke e kaluar mësuese të gjuhë- letërsisë, në të njëjtën shkollë.

Silvana Seitaj:

Kam punuar drejtuese nga Nëntori i vitit 2015 deri në 7 Janar të vitit 2019. Ku në datën 10 më ka ardhur një vendim nga Drejtoria Arsimore për ulje në detyrë. Në datën 20 Nëntor kemi patur një komunikim telefonik me drejtuesen e DAR, Fier,  biseda ka qenë e shkurtër, por me tone të ashpra. Pranë kam pasur fëmijën 10 vjeçar e cila u trondit nga biseda dhe kur kthehet bashkëshorti nga puna i tregon çfarë kishte ndodhur. Merr vajzën e çon në shkollë dhe shkon në Drejtorinë Arsimore ku bën një kërkesë për të kërkuar shërbimin psiko- social për ti ardhur në ndihmë vajzë. Kjo është kërkesa që është cituar. Se çfarë bën bashkëshorti me fëmijë e tij nuk ka pse të regjistrohet në protokollin e shkollës. Këtu është shkaku i parë dhe inati personal i drejtueses së DAR. Në Tetor të vitit të kaluar, lidhim një kontratë për një mësuese ndihmëse, e cila ka punuar për tre vite në shkollën tonë, jashtë portalit. Drejtoresha e DAR nuk na i dha me shkrim ku të thuhej se në portal nuk kishte mësues ndihmës. Pas një bisede verbale, drejtuesja më thotë që lidhi kontratën se do e nisim më vonë shkresë, Ndoshta është ky gabimi që zë drejtuesja e DAR Fier. Në datën 10 me heq të drejtën e vulës dhe në datën 11 më dërgon Specialistin e Burimeve Njerëzore ku më jep vendimin e uljes në detyrë.

Gazetarja: E keni mbajtur ju këtë procesverbal?

Punonjësja sociale: Po, ky është një procesverbal i firmosur nga ana jonë.

Psikologia: Në një takim kemi shkruar këto, që kemi shkruar. Ka qenë një takim ndërmjet ne të trejave dhe babait, prindit të fëmijës.

Punonjësja sociale: Në momentin, që prindi solli fëmijën, fëmija u shfaq i qetë ishte normale, ne e pyetëm ke ndonjë shqetësim? Në atë moment vetëm u përlot. Por, që për traumë, nuk mund të përcaktojmë, ishte traumë apo jo. I kemi ofruar këshillim prindit, që prindi të mos ta përfshijë fëmijën në bisedat e të rriturve, sepse nuk është normale, që vajza të dëgjojë bisedat. Fëmijët duhet të përjashtohen.

Gazetarja: Domenika nga Stop-i jam.  Me drejtoreshën dua të takohem.

Punonjësja: Drejtoresha nuk ka qenë sot, është në Tiranë.

Gazetarja: Është në Tiranë?

Punonjësja: Deri tani nuk kanë ardhur.

Gazetarja e emisionit “Stop” tentoi të komunikonte me drejtoreshën e DAR në qytetin e Fierit, në lidhje me problematikën e ardhur në emision, për shkak të uljes në detyrë të Drejtoreshës  Silvana Seitaj.

Gazetarja ju drejtua me një shkresë zyrtare Drejtorisë Arsimore Rajonale të qytetit të Fierit në datën 21 Janar 2019, kanë kaluar më shumë se 2 muaj dhe përgjigja është se çështja është në shqyrtim administrativ.

Në Dar Fier askush nuk jep shpjegime, ndërsa eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, shpjegon shkeljet në këtë vendim.

Ndriçim Mehmeti:

Vendimi ka një bazë ligjore shumë të koklavitur në mënyrë që gjithkush të humbasë në të. Çlidhje ka drejtori i shkollës me kontratën kolektive të punës, në kuptim që drejtori ka fituar me konkurs, të paktën kështu na është thënë. Standardet e drejtorit, po ku janë të shkruara. Ka thyer parimin e mirëbesimit me standardet e drejtorit të institucionit. Cili është parimi i mirëbesimit? Sepse kundërshtojnë njëra tjetrën. Pra drejtori i shkollës vepron në bazë standardeve të miratuara nga Ministria e Arsimit, në bazë të ligjit të arsimit parauniversitar, udhëzimeve që janë ekskluzivisht për drejtorinë e shkollës dhe nuk ka parim mirëbesimi. Mirëqenia e fëmijës prevalon mbi një akt ligjor. Psikologu duhet të mos japë të dhëna, është në ligj ku nuk duhen të jepen të dhëna kur i drejtohesh shërbimit psiko-social. Është e palejueshme të kundërvësh fëmijën ndaj nënës./tvklan.al