Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ka inspektuar rikonstruksionin e shkollës “Babë Dudë Karbunara” në Berat. Sipas saj shkolla e re do të hap dyert për vitin e ri arsimor me kushte dhe standard moderne.
Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Është vërtet një model i ri i infrastrukturës publike, por nga ana tjetër na jep edhe një dimension të ri sa i përket programit tonë, shkollave dhe qendrave komunitare. Në fakt është një shkollë e cila po përfundon.
Ministrja tha se është hartuar një plan masash për inspektimin në shkolla për të qenë gati për fillimin e vitit shkollor më 9 Shtator, duke përfshirë edhe sektorin privat.
Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Gjithashtu edhe edhe për sistemin jo publik, për shkollat private do të kemi një vëmendje të shtuar jo vetëm për infrastrukturën që ka një rëndësi parësore, por edhe për përditshmërinë e mësuesve me ato standarde që ne duam, duke nisur nga linçensimi i tyre, verifikimet, pra të dosjeve të tyre, të edukimit në vazhdim dhe gjithashtu me përputhshmërinë me lëndët që ato japin në shkolla, për të garantuar një cilësi edhe më të lartë, të mësimdhënies si në arsimin publik edhe në atë privat.
Shkolla e Beratit “Babë Dudë Karbunara”, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Beratit do të mirëpresë vitin e ri shkollor 640 nxënës në ambientet e reja ku përfshihen edhe laboratorë për lëndët shkencore, bibliotekën si dhe palestër sportive moderne.
Klan News