Opozita në Korenë e Jugut shkarkoi nga detyra mes tensionesh në Parlament edhe Presidentin në detyrë Han Duk-soo. Kryeministri mori edhe kompetencat e Presidentit pasi 2 javë më parë opozita shkarkoi Jun Suk Jeolin, i akuzuar prej tyre për grushtin e dështuar të shtetit më 3 Dhjetor, kur ai nënshkroi ligjin ushtarak të cilin u detyrua ta shfuqizonte brenda pak orësh.
Shkarkimi u mbështet nga 192 deputetë nga 300 që ka në total Parlamenti i vendit. Ndryshe nga Jun Suk Jeoli, i cili u shkarkua me shumicë të cilësuar prej 200 votash, për kryeministrin nevojitej një shumicë e thjeshtë prej 151 deputetësh.
Vendimi për shkarkimin e kryeministrit me pozitat e presidentit erdhi pasi ai nuk nënshkroi emërimin e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të propozuar nga opozita, të nevojshëm për funksionimin e vendimmarrjes.
Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për ligjshmërinë e shkarkimit të Jun Suk Jeolit, por partia e tij ka propozuar 3 kandidatë të tjerë për në Kushtetuese, me qëllim që të shfuqizojë shkarkimin. Posti i Presidentit i kalon përkohësisht Ministrit të Financave.
Tv Klan