Vendimi i PZAP-it u mirëprit nga Lista Srpska, që e cilësoi vendimin e mëhershëm të KQZ-së për moscertifikim si përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe”.
Pas urdhrit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për certifikimin e listës Srpska për zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit në Kosovë vazhdon debati, nëse duhej të certifikohej apo jo Lista Srpska. Më 23 Dhjetor, KQZ me votën e përfaqësuesve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e certifikoi listën Srpska. Ky vendim nxiti ankimimin e saj, si edhe reagime nga Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar.
Dokumentacioni i listës Srpska në përputhje me ligjin
Në vendimin PZAP theksohet, se “Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së”.
“KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse ai dorëzon në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së. Në rastin konkret, Paneli vërtetoi se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar, dhe KQZ-ja është e obliguar që të certifikojë çdo subjekt politik i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore, siç i ka plotësuar në rastin konkret Lista Serbe, për çka e njëjta është rekomanduar për certifikim nga Zyra për regjistrim, certifikimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike në KQZ-së”, thuhet në vendimin e PZAP-së. Ky vendim i PZAP-it mund të ankimohet brenda 48 orësh në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Reagimi i listës Srpska
Vendimi i PZAP-it u mirëprit nga Lista Srpska e cila e cilësoi vendimin e mëhershëm të KQZ-së si përpjekje për siç thanë “eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor. Sipas kryetarit të Srpska Zllatan Ellek, “vendimi i KQZ-së për moscertifkim është absurd, antiserb dhe jodemokratik dhe është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit”.
Zërat kundër certifikimit
Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa, i cili e certifikoi listën Srpska për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka shkaktuar debat në media e politikë. Sipas zërave kritikë, lista Srpska keqpërdor zgjedhjet në Kosovë. Dy përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ që votuan kundër certifikimit të Srpska, thanë se kjo parti që ka mbështetjen e Beogradit është angazhuar në akte terroriste në Kosovë. Në këtë mënyrë u shpreh përmes kabinetit të saj edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila vlerëson se “Lista Serbe është e angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenim të rendit kushtetues”. Prandaj sipas Presidentes ajo beson se “KQZ-ja duhet të vendosë në mënyrë të pavarur”.
“Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional”, citohet Presidentja Osmani.
Shqetësim i bashkësisë ndërkombëtare
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nuk certifikoi listën Srpska nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe vëzhguesve të pavarur, që e vlerësuan atë si të motivuar politikisht. Ambasada amerikane në Prishtinë tha se SHBA-të janë “thellësisht të shqetësuara me moscertifikimin e Listës Serbe”, duke potencuar se “veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standardeve dhe procedurave ligjore”, dhe se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.
Reagime pati edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë Jörn Rohde. Rohde tha se, ”ndaj shqetësimet e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me mos certifikimin e Listës Srpska”.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ, ka certifikuar tashmë 27 subjekte politike, prej të cilave: 19 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Pesë nga subjektet politike të certifikuara janë nga radhët e komunitetit serb të Kosovës./DW