Pas thirrjes së OSBE-së që i ka bërë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në Kosovë për të evituar kamerat në procesin e votimeve më 21 Prill në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, KQZ ka dalë më sqarim.
Sipas zëdhënësit Valmir Elezi, vendosja e kamerave në vendvotime nuk vlen vetëm për procesin e votimit më 21 Prill në komunat në veri të vendit, por edhe për proceset e ardhshme zgjedhore.
“Vendosja e kamerave në vendvotime është planifikuar gjatë hartimeve të akteve nënligjore nga KQZ. Këto dhe rregulloret tjera nuk janë hartuar vetëm për procesin e votimit më 21 Prill 2024, por do të vlejnë edhe proceset e tjera zgjedhore”.
Sipas tij vendosja e kamerave brenda hapësirave të vendvotimit bëhet me qëllim që të sigurimit të materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim.
“Vendosja e kamerave do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës. Ruajtja e regjistrimit të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor që sipas ligjit bëhet brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultateve”.
Kamerat e sigurisë do të huazohen nga Shqipëria. Më 21 Prill qytetarët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe do të votojnë për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptar të dalë nga zgjedhjet e 23 Prillit të vitit të kaluar, zgjedhje këto që i patën bojkotuar serbët.
Tv Klan