Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Kryetari i mazhorancës qeverisëse Fatos Nano, ka ftuar edhe njëherë për bashkëpunim liderin demokrat Sali Berisha, për hir të vazhdimësisë së reformave. Nga tribuna e KPD-së, Nano tha, se kjo ftesë nuk ka të bëjë me blerjen e opozitës, por me braktisjen e konflikteve të vjetra ballkanike.
Fatos Nano:- “Unë nuk besoj se zoti Berisha nuk e di që këto reforma të rëndësishme dhe të thella, nuk mund të japin të gjitha rezultatet brenda 6 muajve, siç e dëgjova të pretendonte dje, duke bërë spektaklin e radhës dhe teatrin përball këshillit të presioneve të vjetra politike nga brenda PD. Kërkesa jonë është e drejtpërdrejtë, që opozita të strukturohet në mënyrë të qëndrueshme, si pjesë e sistemit të institucioneve demokratike, e aksionit për reforma, e zgjidhjeve integruese që mazhoranca në bashkëpunim me institucionet aleate dhe partnere euroatlantike ka strukturuar, ka bërë publike dhe po zbaton me transparencë, në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe të aleatëve ndërkombëtar. Ne po i ofrojmë këtij vendi zhvillim dhe instrumente progresi dhe drejtësie dhe jo bunkerë të militantizmit vetëshkatërrues dhe vetëizolues, në të cilin vazhdon të jetë e mbyllur udhëheqja e opozitës së vjetër”.
Krahas përballjes me acarimin e opozitës, Nanos i është dashur t’i përgjigjet edhe revoltës të disa socialistëve të rretheve, për largimet nga puna nëpër dogana dhe tatime të militantëve apo anëtarëve të PS. Pas ngritjes së këtij problemi nga sekretarët Ruçi e Dibra, Nnao replikoi me katharsistin Koçi, i cili propozojë bisedime mes drejtuesve të lartë të partisë dhe ministrave për zgjidhjen e këtij problemi.
Në kalendarin vjetor është parashikuar zgjedhje e delegatëve të kongresit në muajin Korrik, ndërsa kongresi zgjedhor është parashikuar pas zgjedhjeve lokale në muajin Nëntor./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame