Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Nesër në orën 7 të mëngjesit hapet votimi për zgjedhjet e pushtetit vendor në 4688 qendra votimi në të gjithë Republikën. Procesi i votimit do të mbyllet në orën 19. Zgjedhësit e regjistruar janë 2 milion e 703 mijë e 608. Në të gjithë vendin janë ngritur 384 komisione zonale të qeverisjes vendore.

KQZ bëri të ditur tashmë, se është bërë shpërndarja e bazës materiale, në të gjithë KZQ-të e Republikës përveç një apo dy qendrave votimi, në zona të thella të Shqipërisë, ku mungojnë disa mjete kancelarike. Megjithatë, KQZ vëren se ka probleme në disa Komisione Zonale Zgjedhore.

Ilirjan Celibashi:- “Kemi probleme në KZQV e Vaut të Dejës, e cila vazhdon të mos funksionojë për shkak të konfliktit ndërmjet anëtarëve të KZQV por dhe disa individëve të tjerë jashtë KZQV. Kemi probleme me KZQV e Dropullit dhe me KZQV e Milotit”.

Në lidhje me procesin zgjedhor, ka edhe ankesa nga partitë politike. Sot më ashpër ka reaguar kryetari i PDK Nikollë Lesi.

Nikollë Lesi:- “Në komunën e Ksamilit në rrethin e Sarandës, PS po bën një maskaradë elektorale, pasi po pajisë me certifikatë, për të votuar nesër në këtë komunë banorë, që nuk janë të kësaj komune, për të ituar kandidati i tyre. Në komunën e Kolshit në rrethin e Lezhës, komisionerë të PD, të cilët edhe kandidojnë në listën e këshillit të kësaj partie, janë komisionerë, që përbën shkelje të kodit zgjedhor. Ndërsa KZQV e qytetit të Lushnjes, nuk ka pranuar t’u japi vëzhguesve tanë, përfaqësuesve tanë autorizimet, me argument krejtësisht të papranueshëm, se gjoja nuk ka autorizime. Pra janë shkelje të hapura të kodit zgjedhor”.

Vetëm në Tiranë do t’i drejtohen kutive të votimit 432 mijë e 444 zgjedhës. Në 346 qendrat e votimit në kryeqytet, votuesit do të votojnë në dy fletë, në njërën fletë do të votohet për kryetarët e minibashkive dhe këshillin e minibashkive, ndërsa në fletën e dytë për kryetarin e bashkisë dhe listën shumë emërore të këshillit bashkiak.

Ndryshe nga Tirana, në rrethe të tjera të vendit, do të votohet vetëm në një fletë dhe rrjedhimisht në qendrat e votimit do të ketë nga një kuti votimi. Zgjedhjet për pushtetin vendor, mbahen njëherë në tre vjet. Zgjedhjet e fundit lokale u mbajtën në Tetor të vitit 2000. PS fitoi zgjedhjet, duke mbledhur 58.96% të votave, kundrejt 23.11% të PD./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini