Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kreu i zyrës qendrore të OSBE-së, për monitorimin e zgjedhjeve ODHIR, Shtudman, do të vizitojë të mërkurën Tiranën në kuadër të përpjekjeve të kësaj organizate, për të siguruar në Shqipëri, një proces normal zgjedhor. Shtudman do të ketë takime me krerët kryesor të politikës dhe shtetit shqiptar. Ndërsa propozimet konkrete të OSBE-së, do të deklarohen të enjten në një konferencë për shtyp, të përbashkët me ambasadorin Ahrens.

Katër muaj përpara datës së zgjedhjeve parlamentare mes pozitës dhe opozitës, nuk ka asnjë marrëveshje për KQZ, listat e votuesve dhe ndarjen e re të zonave elektorale. Për të zgjidhur këto probleme, pritet një ndërmjetësim i ri i OSBE-së, për të ulur në një tryezë partitë politike. Shtudman do të diskutojë me autoritetet shqiptare dhe numrin e vëzhguesve të ODHIR-it, për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame