Në të dytën dalje brenda pak ditëve kreu i socialistëve Edi Rama ka ripërsëritur qëndrimin politik të selisë rozë ndaj kryeministrit Berisha, duke kërkuar dorëheqjen e shefit të ekzekutivit.
Edi Rama: “Kam kërkuar dhe rikërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, bazuar në koston shumë të lartë që qeverisja e tij po i shkakton çdo familje shqiptare. Bazuar në koston shumë të lartë që qeverisja e tij po i kushton Shqipërisë në sytë e botës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Bazuar në koston shumë të lartë që do të shkojë duke u rritur deri ditën e fundit që Sali Berisha do të jetë ulur në vendin ku u ul për të luftuar korrupsionin dhe ku është kthyer në tutor i korrupsionit dhe në sekser i marifetçinjve, që e përdorin tanimë Sali Berishën po njësoj siç i përdor ai ata”.
I pyetur nga mediat në lidhje me deklaratat e demokratëve, që e akuzojnë kryesocialistin, se po përdor politikisht çështjen Fazlliç, si vdekjen e Kosta Trebickës Rama iu përgjigj:
Edi Rama: “E vërteta është se siç akuzohem sot nga Sali Berisha, u akuzova ato ditë nga të tjerë, që e quanin dobësi mos shqiptimin e fjalës vrasje me bindje. Ndërkohë që unë kam thënë dhe rithem, problemi më i madh që ishte dhe që mbetet është pse e gjithë Shqipëria, gjëja e parë që mendoj ishte vrasja. Fakti që kjo u mendua dhe ju siguroj vazhdon të mendohet në Shqipëri, ka të bëjë me mos besimin e plotë të shqiptarëve e shqiptareve tek shteti, tek qeveria e Sali Berishës dhe Sali Berisha vetë.”
Kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Berisha vjen pas akuzave që opozita ka ngritur në adresë të kreut të demokratëve si i përfshirë në çështjen Fazlliç./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro