Edi Rama: “Për qëllime që s’kanë të bëjnë asgjëkundi me të mirën e përbashkët të shqiptarëve, por vetëm me përfitimin material, personal e klanor, Sali Berisha tregoi dje edhe një herë se arsyeja pse e do me çdo kusht pushtetin që votuesit nuk ja dhanë në 28 qershor është që të marrë vendime si ato të djeshmet, ku me arrogancën dhe injorancën e një dallkauku primitiv i hapi rrugën zhvillimit të disa projekteve tejet të dëmshme për vendin. I ashtuquajturi park energjetik në Durrës është në fakt i shumë herë denoncuari, favor për sekserin serb të oborrit kryeministror. Mbi një tokë që zien nga konfliktet e pronësisë dhe ku shtohet edhe projekti për TEC-in famëkeq me qymyr, të cilin me të drejtën e zotit, populli i Durrësit nuk e dëshiron dhe ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike. Duke u bërë zëdhënës të vendosur të kundërshtisë legjitime të qytetarëve durrsak. Ne nuk do t’i njohim zgjedhjet e 28 qershorit në rast se nuk do të na njihet e drejta jonë demokratike e ligjore për të gjitha kontestimet tona të pamohueshme. Ne nuk do t’i njohim as ato vendime të djeshme të Sali Berishës që i mohoi Durrësit, Lezhës, Shkodrës dhe në fakt gjithë Shqipërisë  të drejtën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm për sot dhe për brezat që do vijnë.”/tvklan.al