Kryeministri Edi Rama thotë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndryshim linjash themelore të politikës sonë të jashtme. Ai u shpreh se sipas këndvështrimit të tij, koha do të tregojë se me ato që po ndodhin sot, nisma është edhe “më e rëndësishme seç ishte dje”.

“Gjërat në këtë botë mendoj unë ka shumë rëndësi se si i shohim në funksion të të ardhmes, nëse e shohim të ardhmen me sytë e të shkuarës, atëherë e kemi shumë të vështirë që ta shkruajmë të ardhmen. Nëse të shkuarën e shohim si një arsye që të mos përsëritet në të ardhmen atëherë mund ta shkruajmë. Por e gjithë kjo pjesë politike që thashë është më shumë një reflektim nga çfarë kam ndjekur këto ditë në një debat popullor në rrjetet sociale nga njerëz të zakonshëm ku ka edhe një pjesë shumë të vogël që thotë se ne duhet t’ua kthejmë kusurin ukrainasve, tani le të vuajnë siç vuajtëm ne. Ajo vetëdija e popullit është në anën e duhur të historisë  Ballkani i Hapur nuk ka lidhje me këtë. Nuk është ndryshim linjash themelore të politikës sonë të jashtme në aspektin e aleancave, të partneriteteve e tjerë, por është një hap shumë i rëndësishëm përpara. Sot, në kushtet e kësaj që ndodh është edhe më i rëndësishëm seç ishte dje në këndvështrimin tim dhe koha do ta tregojë këtë gjë”, tha Rama./tvklan.al