Kapitalizmi ka dështuar apo jo? Pikëpyetja e madhe që kanë ngritur analistët kryesisht të krahut konservator mbi mënyrën se si funksionon ekonomia sot në botë më shumë se një bazë të vërtete ka të paktën një fakt të fortë, krizën ndërkombëtare financiare.
Një proces zinxhir që rrënoi më së pari sistemin financiar amerikan, por tronditi po aq Britaninë, Japoninë dhe Europën. Analistët thonë se asnjë ekonomi nuk mund të jetë imune ndaj recesionit, as ato të vendeve në zhvillim.
Prespektiva më e zbehtë e krizës shihet përgjatë vitit 2009. Krahas analizave Papa Benedikti i XVI i njohur po aq si një ndër papët më konservator që ka drejtuar Vatikanin, në fjalimin e fillim vitit përmendi pikërisht krizën financiare, për të thënë se shoqëria duhet të mendojë të zgjedhë një sistem të ri, duke nënkuptuar dështimin e sistemit kapitalist.
Aspekti i këtij deklarimi është sa human për vetë misionin e kishës, por po aq edhe ideologjik të paktën këtë thonë dhe analistët.
Ardian Civici: “Duhen ndjekur në vazhdimësi gjithë qëndrimin e Vatikanit dhe në përgjithësi të feve të ndryshme, kërkohet gjithmonë barazi sa më e madhe sociale dhe një përfitim i barabartë nga çdo lloj sistemi.”
Adri Nurellari: “Duhet bërë konteksti, konteksti i papës dhe konteksti i kishës katolike. Zhvillimi i sistemit të lirisë, liberalizimi klasik, ka ardhur gjithmonë në formën e një lufte kundrejt konservatorizmit kishtar në një mënyrë të veçantë.”
Përgjatë vitit 2008, vitit të krizës financiare një sërë shkrimesh në të përditshmet e njohura ndërkombëtare së bashku me politikat ekonomike do të sulmonin edhe sistemin.
Pyetjet më të rëndësishme kanë të bëjë shumë me mënyrën se si funksionon kapitalizmi, se si politika mund të ndahen prej ekonomisë. Kjo çështje kriza aktuale ekonomike e përshkruar si krizë e kapitalizmit është mënyra se si shumë konservatorë amerikan e shohin situatën në SHBA. Përfshirë këtu një shifër të konsiderueshme anëtarësh të dhomës së përfaqësuesve.
Gazeta e njohur The Economist, shtron një tjetër pyetje, çfarë do të ndodhë më tej me kapitalizmin financiar?
Një tjetër e përditshme nën titullin kapitalizmi dhe kriza financiare, citon se ka ekzistuar gjithnjë një lloj përbuzje mbi lirinë ekonomike. Për analistët kriza financiare kurrsesi nuk ka treguar dështimin e sistemit.
Ardian Civici: “Në asnjë mënyrë nuk mendoj se ishte një krizë që tregon fundin apo shkatërrimin përfundimtar të këtij sistemi. Faktikisht vetë sistemi kapitalist është ndërtuar në mënyrë të tillë që kalon nga kriza në situata më të qeta, në situata më të bollshme dhe pastaj prapë në kriza të reja. Ishte një krizë natyrisht amerikane, sepse duke qenë vendi më i globalizuar dhe vendi më kapitalist i botës, natyrisht aty u dha dhe goditja e parë. Por sipas analizave që bëhen sot faktori kryesor që ndikoi në këtë krizë ishte një lloj po themi aventura financiare.”
Adri Nurellari: “Si motiv për të ndjellë më tepër mbështetje publike ose për të mos humbur atë mbështetje publike. Të përdorin argumente pupulist, argumente që nxisin shpejt dhe kuptohen lehtë nga publiku sikurse është të dështojë sistemi. Në fakt kjo tregon një lloj mungese përgjegjësie të shtetit të vet lidhur me burimin dhe ato faktorë që kanë çuar në kriza. Në SHBA faktori kryesor që çoi në krizë nuk ka qenë sistemi kapitalist, por ka qenë ndërhyrja e shtetit në ekonomi.”
Adrian Civici ekspert i politikave ekonomike thotë se në fakt ka dështuar modeli i kapitalizmit. Ai liberal i zbatuar për shembull i zbatuar në SHBA krahasuar me modelin me social të kapitalizmit që zbatohet në vendet skandinave.
Duke mbështetur argumentet liberal të funksionimit të ekonomisë Adri Nurellai thotë se kjo është veçse një krizë e përkohshme e modelit.
Adrian Civici: “Në fund të fundit pyetja shtrohet a dështoi liberalizmi dhe nënjëfarë mase mund të themi që po. Kjo lloj krize tregoi që nuk mund të kemi liberalizëm pa limit dhe po të shikosh bota është rikthyer prapë në debate … të raportit midis tregut dhe shtetit. Pra duhet të kemi treg absolut apo shtet absolut, në asnjë rast nuk pranohen ekstreme.”…/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi