Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka bërë thirrje për masa drastike kundër krizës financiare në botë.
Duke e cilësuar situatën si tepër të rrezikshme Ban Ki-Moon apeloi për bashkëveprim të shpejtë ndaj recesionit, i cili sipas ekonomistëve është gjithnjë e më pranë.
E ndërsa tregjet financiare kanë ndezur dritën e kuqe të alarmit kreu i pallatit të qelqtë i kushtoi vëmendje vendeve të varfra.
Sipas tij nëse nuk merren masa shumë prej këtyre vendeve nuk do të mund t’i rezistojnë varfërisë.
Nga ana tjetër liderët e 43 vendeve të mbledhur në samitin në Pekin kanë rënë dakord për takimin e 20 ekonomive më të mëdha muajin e ardhshëm në Uashington.
Dokumenti i arritur prej tyre përcakton qartë se Fondi Monetar Ndërkombëtar do të jetë institucioni përgjegjës për të menaxhuar krizën, ndërkohë që kërkohet koordinimi i veprimeve veçanërisht për të ndihmuar vende të rrezikuara si Islanda apo Pakistani.
Frika e recesionit ka detyruar vendet më të industrializuara të mbahen në fijen e fundit të shpresës që do të jetë pikërisht takimi në Uashington dy javë pas zgjedhjeve presidenciale.
Ky takim pritet të jetë vendimtari për përballjen me krizën financiare, ndërkaq gjendja e bursave në botë vazhdon të jetë ende shumë e brishtë.
Indekset kryesore janë përballur me një rënie drastike që dobësoi shpresat për rimëkëmbje./tvklan.al