Parashikimet për çmimin e arit të zi bëhen gjithnjë e më të zymta. Lënda kryesore energjetike në botë mund të shkojë nga 170 deri në 200 dollarë për fuçi duke nxitur një krizë që si fillim u shkaktua nga ulja e vlerës e monedhës amerikane dhe u zgjerua nga tensionet gjeopolitike.

Ndërsa në 12 muajt e fundit vlera e dollarit ka rënë me 15% kundrejt euros, nafta këtë javë theu një tjetër rekord. Në bursën e New Yorkut një fuçi u shit me 142,99 dollarë, ndërsa pritet një rritje tjetër gjatë kësaj jave.

Veç kësaj shumica e ekspertëve pajtohen se ekzistojnë kushte për rritje të re plotësuese të çmimit edhe krahas ngadalësimit të rritjes së ekonomisë në SHBA dhe në disa vende tjera më të zhvilluara perëndimore.

Ministrat e Kartelit të OPEC-ut thonë se në treg ka naftë të mjaftueshme, megjithatë Arabia saudite prodhuesi më i madh muajin e ardhshëm do të shtojë prodhimin me 200 mijë fuçi ekstra në ditë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle