Sali Berisha: “Unë Sali Berisha nuk refuzoj as njeri, unë kam një interes atë të vendit, në qoftë se presidenti i republikës e gjykon, se mund të bindë Partinë Socialiste zoti Rama, për t’u përshtatur me rregullat themelore të shtetit ligjor që janë respektimi i vendimit të gjykatave,unë e mirëpres pa asnjë hezitim.”

Kjo deklaratë vetëm një dite nga miratimi i rezolutës në Asamblenë e Këshillit të Evropës u përforcua sërish nga kryetari  i qeverisë, Sali Berisha, si një angazhim i mazhorancës për t’i dhënë zgjidhje situatës politike.

Sali Berisha: “Ne mirëpresim kontributin e cilit do personalitet, natyrisht presidentit të republikës dhe cilit do tjetër të cilët e ndjenjë se mund të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Ne mendojmë se, një takim jep rezultate dhe nuk firmos dështimin është i vlefshëm,një kafe pa rezultate edhe ajo mund të pihet, por nuk është ajo që pritet. Unë  vete jam i gatshëm në çdo variant qoftë për kafe,qoftë për jo kafe, qoftë me zotin Rama qoftë me zotin Topi,unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht të mendohet se i shërbehet çështjes pa një përgatitje mua personalisht në të gjithë eksperiencën time politike, me duket se përgatitjet janë të nevojshme. Absolutisht nuk ka asnjë vështirsi për t’u ulur që sot pasdite. Ish-vartësin tim, kur kam bërë përpjekje për t’u zgjedhur president nuk i kam zgjedhur  për tu bërë vartësi im, presidenti republikës  ka një njeri, i cili do marri ose jo përsipër nuk e di, por i cilido e  merr  përsipër, çdo njeri që merr përsipër një gjë, mendoj unë që nuk të fton me lugë në brez, e dini ju atë kur shkoi Kola në dasmë me lugë në brez, por ulemi punojmë, ky është i gjithë problem, hiqeni nga mendja se ka nga unë asnjë lloj paragjykimi asgjë. Po pse unë do ta ftoj Topin? Prandaj i merrni kokëposhtë ju gjërat, nuk fton kryeministri presidentin. Por unë kategorikisht nuk rezufoj.”

Kryeministri ripërsëriti disa herë thirrjen drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste për t’u ulur në tryezë për të prodhuar sikundër tha rezultate.

Sali Berisha: “E ftoj zotin Rama të shqyrtojë rezolutën dhe të mos rrimë të bëjmë deklarata, por  të ulemi ta zbatojmë rezolutën. Rezoluta është një dokument me të vërtetë shumë i mirë dhe ulja për ta zbatuar atë është interesi më i mirë i Shqipërisë edhe i secilës forcë politike.”

Berisha tha se mazhoranca mund  ta votonte që të enjten ngritjen e komisionit  hetimor parlamentar, por kjo do ta ngarkonte me detyrimin ligjor të merrte drejtimin e tij. Për këtë arsye tha kryetari i qeverisë do të pritet prania e opozitës në kuvend për të ngritur komisionin ku shumicën do ta gëzojë opozita. Edhe për shkak të labirinteve mediatike ku është futur shpesh dialogu mes mazhorancës dhe opozitës, Berisha e pa të udhës të theksojë tryezën si vendin që do të garantojë jo vetëm zgjidhjen por edhe transparencën e procesit.

Sali Berisha: “Është më mirë që këtë çështje ta marrim në dorë dhe ta çojmë ne përpara, se sa t’u a lëmë ju objekt hamendjesh dhe thashethemesh të pafundme.”

Shënohet të paktën një  javë nga miratimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës të rezolutës për Shqipërinë, e cila në thelb kërkon hetimin e zgjedhjeve por kjo në përputhje me kushtetutën./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi