Në një deklaratë të fortë të tij, kryeministri akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se kryeson mafien më të rrezikshme në Evropë, mafien e Tiranës.
Kryeministri sqaroi arsyet që e detyruan të mos reagojë ndaj këtij fakti gjatë mandatit të parë, që lidhet sipas tij me bojkotin e parapërgatitur të kryetarit të PS të proceseve zgjedhore duke nisur me zgjedhjet lokale e më pas ato të përgjithshme, por kryeministri ripërsëriti qëndrimin për goditjen e krimit me dorë të fortë ligjore.
Sali Berisha: “Ju duhet ta dini se në Tiranë është e vendosur mafia ndër më të rrezikshmet në Ballkan dhe Evropë. Jo nuk mund të ndërhyja si kryeministër, si kryeministër mund të ndërhyja, por kisha një vetëdije të thellë se midis përballjes me mafien e egër të kryeqytetit që e kryeson kryetari i bashkisë dhe unë do bie fakte, faktet më flagrante unë kam premtuar dhe angazhimit të forcës së tij politike në procesin zgjedhor, e dyta ishte interesi i çdo shqiptari. Zgjidhja ime ishte kjo të bëj çdo gjë që zotëria të mos arrij ta thyej për së dyti vazon siç e theu Gramoz Ruçi në 96. E dini ju që Gramoz Ruçi pasi bëri bojkot është larguar me rroba grash në Greqi apo jo. Po, po me rroba grash, me fustan grash është vesh. Kur kam qenë në opozitë kam deklaruar se kjo është lavatriçe më e madhe e parave në Ballkan. E kam deklaruar apo jo? Të jesh i bindur që e kam bërë me bindjen më të thellë. Unë e di se secili prej jush, secili prej jush mund të më thotë mua sot po ç’bëre ti 4 vjet, absolutisht. Po mos harroni një gjë se ndodhën procese, se shefi i lavatriçes së parave të pista dhe mafies së kryeqytetit u bë kryetar i PS dhe po të kthehej mbrapa dhe iu lutëm të kthehej, bëni ndonjë investigim, mos hezitoni. Akti i parë në vitin 2006 ka kërkuar shtytjen e zgjedhjeve, janë me dokumente, nuk e bërë pa qëllim, e bëri me qëllimin e vetëm për të më thënë mua se procesi elektoral është mburoja ime dhe se në qoftë se ti mban pikëpamjen që ke patur, harroje se unë hyj në zgjedhje.”
Gjatë deklaratës për shtyp kryeministri tha jo për herë të parë se pas bojkotit të Kuvendit qëndrojnë arsye që lidhen me mafien e që punojnë kundër integrimit të vendit.
Sali Berisha: “Mafia ka vetëm interesa kriminale. Cilat janë interesat kriminale? Interesat kriminale janë pushtimi i trojeve, fshehja e taksave, evazioni i madh, mbytja e konkurrencës etj. Mirëpo këto kanë marrë fund, ne kemi shpallur përparësi absolute … e ligjit për dhëmbët, dhëmballët dhe nofullat mafies.”
Kryeministri sqaroi përpara gazetarëve arsyet e fjalimit të mbajtur në Kuvend pak ditë më parë, fjalim që ka ngjallur replika të forta mes dy kampeve kundërshtare.
Berisha tha se zgjodhi të thotë të vërteta si një detyrim moral ndaj shoqërisë dhe detyrës për t’i dalë në mbrojtje figurës së gruas në kushtet e dhunimit primitiv të saj sikundër u shpreh.
Sali Berisha: “Në rast se një qytetar i thjeshtë do të kryente këto akte çfarë do të thoshin, çfarë do thoshin këta zotëri që bëjnë gjethen e fikut. Të më falni, por kur këto i kryen një personalitet publik dhe të derdhësh lot krokodili se nuk është shëmtia e akteve që duhet dënuar, por denoncimi i tyre, atëherë zoti të mëshiroftë shpirtin dhe normat që ke. Ne jemi shqiptar për atë që i thotë nënës, nënë, motrës, motër, bashkëshortes, bashkëshorte, vajzës, vajzë, ato janë gjëra më të papranueshme. Bëhet fjalë për një akt nga më makabrit, i dënueshëm në çdo vend të lirë të botës dhe me ligje. Ka plazhe të caktuara për arsye të caktuara ku mund të shkosh, por jo plazhet publike. Privatizimi është në dhomën e gjumin, në shtëpi, por ata që pretendojnë për privatizëm në plazhe publike ata tallen me veten e tyre se qytetarët e dinë këtë. Kështu që këtu në këtë kontekst, unë kam bërë detyrën time, kam mbrojtur në 10 ditëshin në luftën kundra dhunës në familje, nënën, motrën, bashkëshorten, gruan, vajën shqiptare dhe do ta mbroj.”
Pasi përmendi arsyet e bojkotit kryeministri tha se do të respektohet kushtetuta lidhur me mandatet e deputetëve të PS-së.
Sali Berisha: “Parlamenti dhe KQZ-ja do të zbatojnë kushtetutën. Unë uroj që të vijnë të gjithë në parlament, por në qoftë se ka ndonjë që do të qëndrojë me liderët steril, përsa u përket votave le të qëndrojë me to është zgjedhja e tij, jo e imja. Por kushtetuta dhe ligji në mënyrë absolute do zbatohet.”
Këto deklarata kryeministri Sali Berisha i bëri pasi njoftoi zyrtarisht vendimin për shtyrjen me dy ditë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
I paralajmëruar të zhvillohej në datën 12 Dhjetor, Kuvendi do të zhvillojë punimet në date 14 për shkak të vizitës në Vatikan të kryeministrit Sali Berisha me ftesë të Papa Benediktit të 16.
Kryeministri e cilësoi Kuvendin e fitores që do të parapërgatitë sikundër tha projektin evropian për vendin./tvklan.al
Gazetare:Menada Zaimi