Kryeministri Sali Berisha, e cilësoi objektiv raportin që monitoron progresin e Shqipërisë që prej Tetorit 2008 deri në Tetor të vitit 2009, një dokument që sikurse tha kryeministri do të shërbejë si një program pune i qeverisë që drejton.
Sali Berisha: “Shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë delegacionit të Komisionit Evropian dhe Komisionit Evropian, për ndihmën e madhe që i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtij viti, për raportin e tyre objektiv që kanë miratuar për Shqipërinë dhe e sigurova ambasadorin Lohan, se ky raport do të jetë program pune për të gjitha ministritë dhe agjencitë e këtij vendi”.
Kryeministri u ndal posaçërisht tek procesi zgjedhor. Edhe në këtë rast gjykimi në raport mbi zgjedhjet siç tha kryeministri Berisha është gjithashtu objektiv.
Sali Berisha: “Dua të shpreh kënaqësinë time më të madhe për faktin se ne kemi kaluar një provë shumë të rëndësishme, para qytetarëve shqiptarë në radhë të parë. Por edhe para partnerëve, miqve tanë dhe para KE-së siç ka qenë prova e zgjedhjeve. Në këtë kontekst, raporti ka vlerësimin e tij më objektiv të bazuar sigurisht në raportet e institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet dhe unë e garantova ambasadorin Lohan, se qeveria mbetet e vendosur të punojë në mënyrë më serioze për adresimin e të gjitha problemeve të ngritura nga institucionet ndërkombëtare, për tu përmirësuar më tej procesi zgjedhor. Raporti vlerëson arritjet në të gjitha fushat, por evidenton edhe mangësitë dhe problemet që duhet të trajtohen. Pra nuk më vjen mirë që të citoj asnjëherë veten time, por do përdor vetëm edhe njëherë një frazë që kam përdoru këtu vjet para jush, se unë do ta firmosja atë plotësisht”.
Ambasadori i KE-së Helmut Lohan, i ka dorëzuar progres-raportin kryeministrit Berisha. Dokumenti bën një analizë të qartë lidhur me zhvillimet politike, ekonomike apo dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të MSA Shqipëri-BE.
Ambasadori Lohan zgjodhi të theksojë në deklarimin për shtyp me kryeministrin atë që përbën frymën e përgjithshme të progres-raportit.
Helmut Lohan: “Zoti kryeministër jam mirënjohës sërish që kam mundësinë që të dorëzoj progres-raportin për Shqipërinë, këtë radhë të vitit 2009. Dhe do doja tani që me audiencën të ndaja të paktën njërën nga gjërat që del nga raporti, përmbledhja e përgjithshme është që marrëdhëniet Shqipëri-BE, janë marrëdhënie inkurajuese”.
Progres-raporti i dorëzohet autoriteteve më të larta të shtetit. Krahas kryeministrit edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, mori nga ambasadori Lohan një kopje të dokumentit që monitoron progresin e Shqipërisë drejt BE-së./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi